Konstituohet këshilli, kryebashkiaku Damzi bën betimin

Ministri i Financave Shkëlqim Cani, njëherësh deputeti i zonës, apeloj për më shumë mirëkuptim e bashkëpunim për të mirën e Bulqizës

132

Me datë 22 Korrik 2015 u konstituua Këshilli i Bashkisë Bulqizë, ku janë zgjedhur kryetari i këshillit të ri si dhe përfaqësuesit e kësaj njësie vendore në këshillin e qarkut.

Mbledhja e cila duhej të niste në orën 15.00, ka nisur me 50 minuta vonesë, pasi këshilltarët e majtë kanë vijuar në një mbledhje për përcaktimin e kandidaturave të këtij koalicioni, për të mos patur rrjedhje të votave gjatë proçesit të votimit.

Ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deputeti i zonës i LSI-së, Përparim Spahiu, si dhe përfaqësuesja e Prefekturës Dibër, Donika Hyseni.

Nga 21 këshilltarët e Bashkisë së Bulqizës, ishin të pranishëm 21, ku pasi u bë verifikimi i mandateve për secilin prej tyre, u kalua në betimin nga të gjithë këshilltarët e pranishëm, të cilët më pas votuan për kryetarin e tyre.

Kampi i majtë ka propozuar për kryetar të Këshillit të Bashkisë Bulqizë, këshilltarin Gazmend Kënga, ndërsa grupimi i partive të djathta këshilltarin Edmond Isaku.

Në përfundim të procesit të votimit, të dy kandidatët dolën me vota të barabarta 10 me 10, ndërkohë që një fletë votimi u konsiderua e pavlefshme pasi ishte votuar për të dy kandidatët. Kështu që u desh të zhvillohej një raund iri për të përcaktuar fituesin, raund ky që u zhvillua pas një pushimi që kërkuan këshilltarët e majtë, të cilët u mblodhën sërish në një mbledhje grupi, për të mos patur më rrjedhje votash.

Në raundin e dytë, komisioni deklaroi fitues kandidatin e koalicionit të majtë, z. Gazmend Kënga, me 12 vota, kundrejt rivalit të djathtë, Edmond Isaku, që mori 8 vota. Kenga renditej i pesti në listën shumëemërore të këshilltarëve të PS-së, dhe janë dashur dy dorëheqje që ai të merrte mandatin e këshilltarit, duke marrë kështu dhe postin e kryetarit të këshillit bashkiak.

Pas zgjedhjes së kryetarit të Këshillit të Bashkisë, nga dy kampet politike u kryen propozimet për përfaqësuesit e kësaj njësie vendore në Këshillin e Qarkut.

Koalicioni i majtë propozoi 5 këshilltarë, ndërsa koalicioni i djathtë propozoi 3 këshilltarë. Pas votimit u shpallën si fitues 3 kandidatura, 1 nga PS, dhe 2 të tjera nga partitë e vogla të koalicionit të majtë dhe të djathtë. Në këtë moment ndërhyn përfaqësuesja e Prefekturës Dibër, Donika Hyseni, e cila e quan këtë votim të pavlefshëm, pasi sipas saj asnjëra nga kandidaturat nuk ka marrë 50 +1 për qind të votave të këshilltarëve, gjë e cila çoi në debate të forta mes këshilltarëve dhe përfaqësues së Prefekturës Dibër, Donika Hyseni.

Gjithsesi një situatë e tillë konfliktuale bëri që të mos përpilohet proces verbali përkatës i kësaj pike të rendit të ditës.

Në vijim të mbledhjes u kalua në pikën e rendit të ditës, ku u bë deklarimi i vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë, Melaim Damzi, i cili më pas bëri betimin para këshilltarëve. Me këtë rast ai dha mesazhin për një bashkëpunim konstruktiv me këshillin bashkiak, në të mirë të komunitetit
Përshëndeti në këtë mbledhje edhe ministrii Financave dhe njëherësh deputeti i zonës, Shkëlqim Cani, i cili tha: “Jam për të thënë, se këtu jam, ndaj dhe apeloj për më shumë mirkuptim e bashkëpunim për të mirën e Bulqizës”

Kreu i ri i bashkisë ka lidhje të veçantë me rrethin e Bulqizës që në rininë e tij të hershme

S'KA KOMENTE