Transparencë për Rrugën e Arbërit

161

Ende nuk ka një afat të përcaktuar për fillimin e ndërtimit të segmentit më të vështirë prej 26.9 km, Qafa e Tujanit-Ura e Vashës. Deklaratat e qeveritarëve kanë krijuar një mjegullnajë lidhur me këtë afat.

Para tre muajsh u duk sikur Kuvendi i Shqipërisë po i hapte rrugën fillimit të një procedure të veçantë për negocimin e kontratës koncensionare me Shoqërinë kineze “China State Construction Company”.

Sipas kësaj procedure do të duheshin 60 ditë për nënshkrimin e koncensionit për të vijuar më pas parapërgatitjet për fillimin e ndërtimit të këtij segmenti. Kështu u duk sikur çështja e ndërtimit të Rrugësse Arbërit, e konsideruar si Rruga e dytë e Kombit (pas asaj Durrës-Kukës-Prishtinë) po shkonte drejt finalizimit.

Por sipas një matematike të thjeshtë, nëse Kuvendi vendosi kështu me 16 prill, nënshkrimi i koncensionit duhet të kishte përfunduar, të paktën më 16 qershor.

Po ikën dhe vapa e gushtit dhe gjithshka ka mbetur pezull. Gjithsesi një siguri e jep ambasadorja e Kinës në Tiranë, e cila ka deklaruar para disa ditësh se “me përfundimin e procesit të negocimit të kontratës, Rruga e Arbërit do të mund të fillojë brenda vitit. Ndërsa deputeti dibran i LSI, Përparim Spahiu pati deklaruar në Kuvend se “fillimi i ndërtimit të këtij aksi rrugor është menduar të nisë në vitin 2016, nëse gjithshka shkon sipas parashikimeve, dhe do të përfundojë në vitin 2019.” Brenda kësaj periudhe parashikohet edhe ndërtimi i Urës së Vashës dhe Tuneli i Murrizit.

Ndërkohë që bëhet e ditur se Autoriteti Rrugor Shqiptar e kishte llogaritur vlerën e projektit 28.8 miliardë lekë, kompania kineze ka sjellë një ofertë prej 21 miliardë lekë. Bëhet fjalë për një rrugë me 10.5 metra gjerësi, ku përfshihen katër tunele, më i gjati i Qafës së Murrizës me gjatësi 2600 metra.

Shqiptarët dhe veçanërisht qytetarët e Dibrës e Bulqizës, përballë kësaj mjegullnaje të krijuar kërkojnë transparencë për Rrugën e Arbërit.

S'KA KOMENTE