Kryengritja e Qershorit 1924 dhe tradita demokratike shqiptare

240

Mendësia demokratike…

Shqipëria në vitet 1920 – 1924, karakterizohej nga një jetë politike e paqëndrueshme. Demokracia që u zhvillua në Shqipëri para viteve 1924 kishte dhënë në vend liri të tepruara, kishte dobësuar bashkimin e vendit, harmoninë, disiplinën e organizimin. Shoqëria shqiptare ndodhej në këtë kohë në një fazë të ndërmjetme midis qeverisjes qenësore të rregullit kolektiv qytetërues dhe të një mendësie që mbështetej në forcën, në zgjidhjen e problemeve. Realisht Shqipëria ishte në krizë nacionale, politike, morale, shoqërore, institucionale, ekonomike.   Këto faktorë kishin krijuar një situatë politike në vënd, si prag i shpërbërjes së  ekuilibrit të dobët politik e kombëtar që  kishte Shqipëria.
Në themel, “Revolucioni Demokratik” urrehej jo vetëm nga ish klasa  e lartë, e dëmtuar dhe e kërcënuar rëndë, por edhe nga vetë populli  i thjeshtë. Ai ishte i huaj dhe pak i përshtatur ndaj mendësisë së tij, kishte shumë zhurmë dhe shumë fjalë të bujshme. Për shekuj me radhë populli kishte jetuar nën një rregjim të topitur dhe kishte gjetur qetësinë e mbase, edhe lumturinë e tij. Ndaj tani atij nuk i pëlqente që ky shtet të prishej me risi teorike dhe të pakuptueshme. Një pjesë e rebelëve kërkonte ta shkatarronte rendin e vjetër, të fuste ide dhe mënyra jetese të reja, të cilat u binin ndesh traditave dhe të gjitha shprehive të popullit, kjo shkonte larg! Bëhej fjalë për nocionet më të shënjta dhe më thelbësore të mënyrës shqiptare të jetesës!

(Kujtime. Kujtime Eqerem Bej Vlora, vëllimi i dytë faqe 224)

Papërgjeshmëria e klasës politike dhe situata shpërthyese në vend e detyroi më 30 Mars 1924, Këshillin i Regjencës të ngarkoi Shefqet Bej Vërlacin me krijimin e qeverisë së re. Misioni i tij ishte të përpiqej për vllazërimin e rrymave të ndryshme politike dhe për rivendosjen e rendit dhe të idesë së shtetit. Ju afruan poste ministrore dhe opozitës, Luigj Gurakuqi u bë Ministër i Financave. Ahmet Bej Zogut si njeriu që kundërshtohej më shumë nga opozitarët nuk ju dhanë poste shtetërore. Mbas varrosjes së Avni Rustemit fillon nxitja dhe fillimi i lëvizjes së armatosur. Përgatitjet për luftë u bënë si në Vlorë ashtu dhe në Shkodër. Në situatën e acaruar politike bëhet ndërrimi i qeverisë në 31 Maj 1924, formohet qeveria e re me Kryeministër Iljaz Bej Vrionin, qëllimi i të cilit ishte qetësimi i gjëndjes në vënd. Zogu emërohet krykomandant i trupave qeveritare në qeverinë e Iljaz Bej Vrionit. Kjo lëvizje politike e mazhorancës parlamentare nuk e qetësoi situatën shpërthyse që ishte në Shqipëri. Kryeministri i ri Iljaz Bej Vrioni i qëndroi besnik parimit të mosveprimit dhe dha urdhër të shmanget çdo gjakderdhje.Bajram Curri sulmoi Krumën ku u ndesh me fuqitë e Muharrem Bajraktarit. Më 5 Qershor 1924, ushtria e Jugut e udhëhequr nga Kasem Qafëzezi pushtoi Beratin e Fierin e më 8-9 qershor, pushtoi Lushnjën e Kavajën, ndërsa ushtria e veriut e udhëhequr nga Rexhep Shala po  këto ditë, si mori Shkodrën e Lezhën e kishin rrugën të hapur për në Tiranë.Duhet theksuar se kryengritja e armatosur nuk pati përkrahje popullore në Shqipëri, përkundrazi u trajtua si një veprim që rrezikonte Shqipërinë.Më 10 Qershor 1924 kryengritësit të udhëhequr nga opozita politike dhe e drejtuar nga ushtarakët Kasëm Qafësezi e Rexhep Shala pushtuan Tiranën.
“Një turmë e mbledhur dosido, pa lidhje të mbrendëshme, pa një ideal të përbashkët pa asnjë organizim, i shtyrë dhe i njësuar vetëm nga ambicja dhe lakmia, e panjohur dhe pa përvojë, kishte fituar dhe kishte marrë në dorë fatet e vendit, vetëm e vetëm ngaqë ish klasa e lartë nuk kishte aritur ta luante rolin e saj për arsye shkujdesje, paaftësie, dembelie zëmërvogëlsie dhe mungesë uniteti…..

(“Kujtime” Eqerem Bej Vlora, pjesa e dytë, faqe 222)

Kundërshtarët e kryengritjes kalojnë në emigracion jashtë vendit, në Jugosllavi, Greqi e Itali. Formohet një qeveri e re me kryeministër Fan Nolin. Për postin e kryeministrit ishin tre kandidatë: Sulejman Bej Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli. Me short, fati i ra Fan Nolit. Qeveria e re  deklaroi në shtyp programin e saj   Një program ky që ishte tejet demokratik-liberal për mendësinë dhe zhvillimin qytetërues e kulturorë të shoqërisë shqiptare të viteve 1924.  Mund të arrihej diçka shumë më mirë me mjete demokratike e cila do krijonte kohën e duhur dhe kushtet e duhura për zhvillimin e shoqërisë shqiptare me mendësinë demokratike.

Qeveria e Nolit dhe përplasja me Zogun…
“Në 2 Korrik 1924 kryeministri Fan Noli mori përsipër edhe fuksionet e Regjencës, të cilat më parë i kishte ushtruar një Këshill Shteti me katër anëtarë.  Për sa i takon drejtimit të vendit qeveria e Nolit nuk tregoi zotësi  në në qeverisjen e vendit. “Qeveria e Nolit e kishte humbur krejt autoritetin e saj në popull dhe populli e kishte humbur besimin se ajo mund të bënte diçka për të mirën e vendit”.
(Ballafaqimet Politike në Shqipëri. Sejfi Vllamësi f.393)
Gjatë kësaj kohe Zogu në emigracion kishte siguruar përkrahjen morale e financiare të Britanisë së madhe, Francës më vonë Italisë dhe vendeve fqinje Jugosllavisë dhe Greqisë për legjitimitetin e qeverisë që ai përfaqësonte  dhe njëkohësisht të siguronte përkrahje ushtarake për rikthimin e qeverisë në Tiranë.
Më 14 Dhjetor forcat ushtarake të Koço Kotës dhe Mufit Bej Libohovës sulmojnë nga Greqia, në zonat e Korçës dhe Kakavijes në drejtim të Tiranës.
Më 16 Dhjetor Ahmet Bej Zogu, Ceno Bej Kryeziu, Muharem Bajraktari etj me forcat ushtarake rreth 5-6 mijë trupa shqiptare dhe rreth 100 mercenarë rusë, sulmoi nga Jugosllavia në zonën e Krumës, Dibrës, Shkodrës e Pogradecit në drejtim të Tiranës. Komandanti  përgjithshëm i operacionit ushtarak ishte Ahmet Bej Zogu. Mbas disa luftimeve të vogla në Peshkopi, Qafë të Tujanit etj, më 24 dhjetor pushtohet Tirana. Në dhjetor të vitit 1924 rikthehet në pushtet  qeveria e Iljaz  Bej Vrionit. Ky  proçes i dhunshëm ushtarak e politik i rikthimit të qeverisë u emërua në atë  kohë “Triumfi i Legalitetit”. Duhet theksuar se kthimi i qeverisë nuk u shoqërua me dhunë shtetërore ndaj kundërshtarëve politikë, s’pati vrasje dhe arrestime. Në ushtri u bënë disa largime të ushtarakëve që morën pjesë në kryengritje. Zogu u dërgoi një thirrje të gjithë nënpunësve dhe ushtarakëve të shtetit të zbatonin detyrat e tyre ligjore e atdhetare. Ahmet  Bej Zogu ishte komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosur. Iljaz Bej Vrioni si kryeministër i vendit dha dorëheqjen. Këshilli i Lartë i Regjencës ngarkoi Ahmet Bej Zogun në formimin e qeverisë së re. Në 6 Janar 1925 parlamenti i mbledhur mbas shpartallimit të “Revolucionit”, aprovoi një qeveri të re të kryesuar nga Ahmet Bej Zogu.  Fan Noli me të tërë përkrahësit e tij, këtu flitet për eksponentët kryesor u mblodhën në Vlorë dhe prej këndej u larguan nga Shqipëria. Të mërguarit politikë të Qeverisë së Zogut u vendosën jashtë Shqipërisë në Itali, Austri, Francë, Jugosllavi, Greqi etj. Këta zhvilluan një aktivitet politik anti-zogist në emigracion duke u bashkuar në shoqata të ndryshme sipas  bindjeve personale.
E gjithë kjo kryengritje është cilësuar si një “Revolucion demokratiko-borgjez”, nga historiografia komuniste gjë e cila nuk i përgjigjet të vërtetës. Kushtet për një udhëheqës të fortë e të aftë i plotësonte figura morale e politike e Ahmet Bej Zogut. Kjo kryengritje i dha shtysën përfundimtare figurës politike të Ahmet Bej Zogut që të bëhej udhëheqësi i Shqipërisë për 15 vjet rresht.  Më 21 Janar 1925 Kuvendi shpalli Shqipërinë Republikë dhe disa ditë më vonë Amet Bej Zogu u zgjodh kryetar i Republikës së Shqipërisë.
I gjithë sistemi politik i Shqipërisë i kësaj kohe mbështetet mbi idenë e një pushteti të fortë ekzekutiv, i cili ishte një sistem politik i tipit autoritar i domosdoshëm për nivelin qytetërues të kombit shqiptar të asaj kohe.

S'KA KOMENTE