Mbi emigrimin në Gjermani dhe vendet e tjera të BE

74

Mendimi se duhet të shkruaja diçka në lidhje me dyndjen e  kohëve të fundit të shqiptarëve drejt perëndimit, më ka ndjekur prej ditësh, por ajo që më nxiti t’i vihem punës, ishte një shkrim i publikuar në një të përditëshme gjermane,  në të cilin përshkruheshin disa nga arësyet që po i nxitnin shqiptarët të emigrojnë. Veç të tjerash përshkruheshin shpresat e atyre qytetarëve që ishin nisur apo do të niseshin dhe zhgënjimet e atyre që tashmë kishin arritur në tokën gjermane.
Unë besoj se çdo njeri ka të drejtë të kërkojë në vendin e tij apo në një vend tjetër mundësinë për të patur një jetë më të mirë. Në një mënyrë ose tjetër, emigrimet janë lidhur gjithmonë me luftën për të kapur ëndrrën. Kjo përpjekje nuk duhet paragjykuar por duhet respektuar.
Një nga mënyrat se si kjo duhet bërë, është  përmes  përcjelljes në mënyrë korrekte të informacionit tek qytetari, me qëllimin për ta ndihmuar atë që duke patur një ide më të qartë të mos bëhet pre  iluzionesh të gabuara.
Ky është pikërisht një prej qëllimeve të këtij shkrimi.
Nëse do ta nisja me fakte, atëherë do të thoja se siç edhe dihet,  muajt e fundit vendet e BE po përballen me një fluks të madh emigrantësh, shumica e të cilëve po emigrojne  nga  vende në konflikt, si  Siria, Iraku, Afganistani, Libia etj.
Italia është vendi që është goditur më shumë nga ky fenomen.  Numri i madh i emigrantëve të dyndur nga vendet e Afrikës së Veriut ka vënë në pozitë të vështirë Italinë dhe vendet e tjera të BE. Plani i BE për të shpërndarë 40 mijë emigrantë nga Italia dhe Greqia drejt vendeve të tjera të BE, ka ngjallur shqetësim tek këto të fundit. Vendet me të prekura nga ky plan do të jenë Gjermania, Franca dhe Italia. Mediat, të bazuara në raportet e vendeve përkatëse  publikojnë të dhëna në lidhje me rritjen e fluksit të emigrantëve dhe azilkërkuesve në vendet e BE.

Austria parashikon që këtë vit të përballet me 70 mijë kërkesa për azil
Sipas mediave, Austria parashikon që këtë vit të përballet me 70 mijë kërkesa për azil, rritja më e madhe kjo në 50 vjet. Fedasil (Agjensia për pritjen e azilkërkuesve në Belgjikë), në të dhënat e  saj pasqyron  se deri me 1 maj  të 2015 Belgjika ka pritur mbi 12 mijë emigrantë. Po sipas parashikimeve, Gjermania do të jetë vendi më i prekur nga azilkërkuesit. Numri i parashikuar është 300 mijë, por ekspertët përllogarisin rreth 500 mijë emigrantë.
Shqipëria gjithashtu është përfshirë nga një valë emigrimi e qytetarëve të saj drejt vendeve të BE. Shqiptarët kanë preferuar më së shumti  si vend emigrimi Gjermaninë. Referuar burimeve të ndryshme,  mediat publikojnë, që ambasada gjermane në Prishtinë paralajmëron se numri i shqiptarëve që do të largohen nga Kosova do të jetë rreth 300 mijë. Ambasada gjermane ka paralajmëruar se 99% e kërkesave për azil do të rrëzohen.  “Kosova është një vend i lirë e demokratik e cila respekton të drejtat e pakicave, tashmë të përfaqësuara ne parlament”.
Më kanë tërhequr vëmendjen disa të dhëna të publikuara herë pas here në mediat shqiptare,  apo qoftë edhe në rrjete sociale, të cilat japin shifra mbi numrin kerkesave të pranuara për azil të qytetarëve të Shqipërisë në Gjermani.  Kam konstatuar se në shumicën e rasteve të dhënat ose janë interpretuar gabimisht, ose janë marrë nga burime jo shumë të besueshme. Duke dashur të ndihmoj sadopak në një pasqyrim të drejtë të këtij realiteti, kam kërkuar dhe shfletuar të dhëna nga burime serioze, disa prej të cilave i kam pasqyruar më poshtë.

Raporti – Numër i madh i azilkërkuesve nga Shqipëria

Në raportin e saj “Shifrat aktuale mbi azilin” (Aktuelle Zahlen  zu Asyl), Zyra Federale e Emigranteve dhe Refugjatëve në Gjermani (BUNDESAMT FÜR MIGRATION UND FLÜCHTLINGE), ka publikuar të dhëna në lidhje me numrin e kërkesave për azil, të pranimeve apo rrëzimeve të këtyre kërkesave. Bie në sy numri i madh i azilkërkuesve nga Shqipëria, e cila në krahasim me top dhjetë vendet e përfshira në këtë raport ka numrin më të madh të azilkërkuesve për muajin maj 2015.
Sipas këtij raporti në muajin  Maj të këtij viti 20,5%  e azilkërkuesve kanë qenë nga Shqipëria; pas Shqipërisë renditet Siria me 20,2%, Kosova me 7,5%, Serbia 5,9%, Irak 5,8%, Afganistan 4,8 %, Maqedonia, 2,7%, Eritrea 2,6%, Nigeria 2,4% dhe Ukraina 2,1%.
Në këtë raport pasqyrohen gjithashtu të dhëna mbi numrin e përgjithshëm të kërkesave të shqyrtuara, të pranuara dhe të rrëzuara.  Sipas raportit numri më i madh i kërkesave të shqyrtuara janë kërkesat e azilkërkuesve nga Siria (4527), nga Kosova (3437) dhe Serbia (1607).
Nga 16,784 kërkesa të përgjithëshme (emigrantësh të vendeve të ndryshme), të shqyrtuara gjatë mujit maj 2015, janë dhënë 5902 vendime pozitive.  Raporti nuk jep detaje se sa është numri i kërkesave të pranuara simbas vendeve përkatëse (Shqipëria, Kosova, Serbia, Siria etj), por pasqyron vetëm numrin e përgjithshëm të këtyre kërkesave të pranuara. Për shkak të fluksit të madh të emigrantëve, Gjermania i ka shkurtuar ndjeshëm procedurat e trajtimit të kërkesave për azil. Në muajt e fundit ajo i ka përshpejtuar procedurat  deri në 5,7 muaj.
Procedurat e azilit, ndryshojnë nga vendi në vend, edhe pse në thelb ato janë të njejta, por gjithsesi kërkesa për azil duhet të përmbushë kriteret e Konventës së Gjenevës, e cila parashikon mbrojtje për azilkërkuesit, për të cilët kthimi në vendin e origjinës përbën rrezik real për jetën e tyre .
Shqipëria prej kohësh është hequr nga lista e zezë e vendeve të cilat nuk garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, madje tashmë  vendi ka marrë statusin e kandidatit për në BE. Në këto kushte, shqiptarët e kanë të pamundur ose tejet të vështirë të përmbushin kriteret për të aplikuar për azil. Pavarësisht problemeve ekonomike e sociale, Shqipëria trajtohet si një vend demokratik e cila respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe ku demokracia vlerësohet si mëse funksionale.
Sipas një materiali të Fedasil (Ëat is Dublin)), në botë janë mbi dyzet milionë njerëz të cilët ikin për shkaqe luftrash, dhune, përndjekje etj.  80 % e tyre i drejtohen vendeve të rajonit përkatës, apo vendeve fqinje. Vendet e zhvilluara presin vetëm katër të pestat e tyre.
Sot Europa dhe vendet e BE po debatojnë gjithnjë e më shumë në lidhje me kufizimin e fluksit të emigranteve dhe   “mbrojtjen e kufijve”, pasi vetëm një e shtata e tyre  kërkon mbrojtje (azil) në këto vende. Në lidhje me këtë, vende të ndryshme të BE kanë kërkuar disa herë rishikimin e heqjes së regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria, ashtu si dhe muajt e fundit po ndodh, për shkak të fluksit të madh të të ikurve, është gjendur disa herë në qendër të diskutimit dhe kritikave nga BE. Arsyeja ekonomike është vlerësuar si një nga shkaqet kryesore që kohët e fundit i ka detyruar qytetarët shqiptarë të emigrojnë masivisht.
Gjithsesi, duke mos dashur të analizoj, unë dua ta mbyll këtë shkrim  me një paragraf të  Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut: “Çdo person është i lirë të largohet nga çdo vend, duke  përfshirë të tijin”.

S'KA KOMENTE