VEÇORITË E LUFTËS ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE NË DIBËR DHE NË TROJET SHQIPTARE NË MAQEDONI

249

Është shkruar shumë për Luftën Antifashiste në Dibër dhe në Dibër të Madhe. Xheladin Krifca, pjesëtar direkt dhe kuadër në këtë luftë,  që në titullin e librit të tij me analiza dhe kujtime e bën dallimin duke thënë “Dibra” dhe “Dibra e Madhe”  në luftë.
Reginald Hibbert, misionar anglez në Shqipëri gjatë Luftës së II Botërore i kushton një vëmëndje prej më se dy kapitujsh  luftës në Dibër, në librin  e  tij për Luftën Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, me titull “Fitorja e hidhur” .
Gjeneral Gëzim Ostreni nga Dibra e Madhe në një botim të Institutit të Historisë, Prishtinë, me titull “Shpresa dhe zhgënjimi i shqiptarëve në Maqedoni”, gjatë dhe pas luftës së II Botërore, analizon arësyet përse shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk i konsideronin italianët dhe gjermanët pushtues, në raport me serbët qëi kishin masakruar dhe asimiluar që nga viti 1913 deri në vitin 1941.
Gjeneral Rrahman Parllaku, ish komandant i Divizionit të V të Ushtrisë shqiptare që luftoi në viset shqiptare në Kosovë dhe në Ish Jugosllavi , në librin e tij “Kosova e lirë, ëndrra e jetës sime” , tregon se si partizanët kosovarë u shkëputën nga Divizioni Skënderbeg dhe nga forcat gjermane dhe u bashkuan me forcat partizane të Shqipërisë të Divizionit të V dhe luftuan së bashku kundër pushtuesve.
Të shumtë janë historianët shqiptarë që analizojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, të shumta janë edhe  debatet për luftën Antifashiste të Shqipërisë nëse ishte luftë çlirimtare apo luftë civile. Për këtë të fundit kjo çështje pothuajse është me përgjigje. Asaj i janë përgjigjur Heroi i kësaj lufte, gjeneral Rrahman Parllaku, historianë e profesorë me integritet si Kristo Frashëri, Xhelal Gjeçovi, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi etj. Dhe përgjigja është e prerë dhe pa ekuivok. Shqipëria u rreshtua përkrah forcave të aleancës SHBA, Francë, Angli, Bashkimi Sovjetik, aleancë që doli fituese në këtë luftë dhe për rrjedhojë edhe Shqipëria u rendit në krahun e fitimtarëve dhe jo në krahun e humbësve dhe të fashistëve  e nazistëve.
Shtrohet pyetja po Lufta e Peshkopisë  apo ndonjë betejë tjetër sporadike në periudhën midis largimit të italianëve dhe ardhjes së gjermanëve çfarë ishte?!
Përgjigjes  reale, sipas mendimt tim, i janë shmangur deri më tani historianët të mbajtur nën presion nga politikanët e këtyre partive tradicionale të krijuara që në vitet e kësaj lufte, por që vazhdojnë edhe sot edhe më të fuqishme.
Le t’i lëmë historianët të qetë të bëjnë analizat historike pa presione, sepse tashmë kanë kaluar mbi 70 vjet dhe është koha që gjërat të dalin në dritë me emrin e tyre. Dhe që të ndodhë kjo duhet që analiza të bëhet sipas kohës dhe vendit që ndodhën këto ngjarje dhe jo me mendjen e sotme dhe interesat  politike dhe ekonomike të pasuesve të tyre. Dibra me nandë malet e saj historikë ka patur dhe ka veçoritë e saj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vendimet e vitit 1913 e ndanëatë si asnjë qytet dhe asnjë zonë në Shqipëri në dy pjesë, njëra në Shqipëri, dhe tjetra në Republikën Federative të Jugosllavisë, në Maqedoni. Maqedonia vetë u krijua nga popullsia shqiptare, bullgare, serbe etj., dhe ishte një sajesë e Titos si republikë më vehte. Shqiptarët u konsideruan si turq dhe shumica me traktat të fshehtë u dërguan për në Turqi. Të tjerët njohën terrorin e pashembullt të Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene.
Dibranët e Shqipërisë  dhe dibranët e Dibrës së Madhe kishin lidhje miqësore dhe farefisnore të pandashme. Kufijtë ishin të depërtueshëm dhe të pakontrollueshëm sidomos gjatë  luftës dhe për rrjedhojë krerët e kësaj lëvizje dhe krerët e parisë lëviznin sa  në Dibër në Peshkopi. Jo rastësisht i gjejmë të stehuar në Dibër të Madhe Haxhi Lleshin, Aqif Lleshin, Myslym Pezën, Abaz Kupin, Fiqiri Dinen etj. Jo rastësisht kishte  lidhje miqësore midis krerëve të parisë së Dibrës.  Jo rastësisht nga e njëjta familje me emër njëri djalë ishte me Nacional çlirimtaren dhe tjetri me Ballin apo parinë. Djemtë e patriotit Elez Isuf Ndreu ishin ndarë në dy kampe. Esati ishte me Nacionalçlirimtaren, bile komandant brigade, Xhetani, anëtar i Shtabit të Përgjthshëm, ndërsa Cen Elezi (Ndreu) me forcat e tij ishte në mbrojtje të semtit të tij, zonës së influencës së tij,  dhe nuk e përkrahte lëvizjen nacional clirimtare.  Dali Ndreu ose Dali Sufa, djali i Sufë Xhelilit ishte ushtarak  i lartë në Shtabin e Përgjithshëm të LANC.
Në Prill të vitit 1939 përfaqësues nga paria e Dibrës, si edhe nga vise të tjera të Shqipërisë, të  nxitur dhe të urdhëruar nga Qeveria Kuislinge e Verlacit, shkojnë në Romë në ceremoninë e kurorëzimit të Viktor Emanuelit, mbret të Italisë dhe të Shqipërisë, ndërkohë që pati organizime nga Dibra, për ta pritur me pushkë zbarkimin e italianëve në Durrës. Nga viti 1939 deri në vitet 1941, 1942 shumë ushtarakë në rezervë të Zogut vazhdonin ta merrnin rrogën edhe nga qeveria kuislinge e Tiranës, e paguar nga Italia. Këto krerë trumpetonin se Italia është e mirë dhe nuk u interesonte lufta me Italinë. Mjaft kemi bërë luftëra me Turqi dhe me Serbi, kjo ishte parrulla e krerëve të parisë.
Fillimet e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Dibër, datojnë para formimit të Partisë Komuniste, në prill 1941, në zonën Viçisht, Maqellarë dhe nuk kanë lidhje me organizimin komunist. Këtu dhe në këtë kohë janë edhe dëshmorët e parë të kësaj lufte.  Qëndresa antifashiste ka të bëjë me shpirtin e qëndresës së dibranëve që në kohën e luftës kundër Hajredin Pashës, në fushën  e Gjoricës, në korrikun e vitit 1844, duke vazhduar me luftërat kundër serbve në vitet 1913 dhe 1920.
Historiografia komuniste e luftës nuk e pranon këtë fakt dhe është për të ardhur keq që edhe sot pas 70 vjetëve dhe pas 20 vjetëve demokraci ribotohet historiku i luftës në Dibrës, maket i viteve 70.
Edhe sot e kësaj dite nuk dalin plotësisht në dritën e diellit marrëveshjet midis përfaqësuesve të Nacionalçlirimtares në Dibër me përfaqësuesit e Parisë dhe të Ballit Kombëtar. Në shtator 1943 , përfaqësuesit e Komitetit Nacional Etnik u përpoqën të arrinin një bashkëpunim me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar.
Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar përfaqësohej nga Njazi  Islami, Sotir Vullkani dhe Esat Ndreu. Komiteti Nacional Etnik  përfaqësohej nga Fiqiri Dine, Cen Elezi, Demir Mersim Dema etj.Në këtë takim morën pjesë edhe krerët e Ballit Kombëtar Mithat Frashëri, Hasan Dosti dhe Ali Këlcyra. Në  fund të bisedimeve u nënshkrua një marrëveshje prej pesë pikash, të cilat vetëm pak ditë më vonë u hodhën poshtë nga përfaqësuesit e lëvizjes Nacionalçlirimtare të Dibrës.
Po t’i hedhësh një sy pjesëmarrësve të bie në sy pjesëmarja e dy vëllezërve në kahe të kundërta, djemve të patriotit Elez Isufi, Cen Elezi me Komitetin Nacional Etnik  dhe Esat Ndreu me Frontin  Antifashist Nacionalçlirimtar. Përse u prish pakti. A ishte kjo një përpjekje  e pastër për pushtet dhe sundim
Takime të tilla gjatë luftës antifashiste nacional clirimtare u bënë edhe midis përfaqësuesve të Nacionalçlirimtares e parisë së Dibrës dhe palës së Maqedonisë. Më 25 gusht 1943 në Sllovë të Dibrës u bë takimi i parë. Pala maqedonase përfaqësohej nga Elisie Popovski dhe Strahil Gigovi. Pala shqiptare nga Jusuf Luzi dhe Cen Elezi. Në marrëveshjen e arritur bëhej fjalë për krijimin e një shtabi të përbashkët të përfaqësuar nga Cen Elezi, Jusuf Luzi dhe Esat Ndreu për palën shqiptare dhe Elisie Popovski, Hamdi Dema, Tome Sofranievski për palën maqedonase.
Kjo marrëveshje nuk i kënaqi të dy palët, prandaj më 6 shtator të vitit 1943, po në Sllovë, takohen edhe një herë përfaqësuesit e Dibrës së Shqipërisë me përfaqësuesit e Dibrës së Madhe (Maqedonisë), por këtë herë me pjesëmarrje më të gjërë.
Marrëveshja e nënshkruar parashikonte
Forcat e armatosura të përfaqësura në tubimin e Sllovës, të bashkëpunojnë në luftë kundër okupatorit dhe shërbëtorëve të tij. Për aksione të përbashkëta formohet shtabi i përbërë nga Cen Elezi, Shaban Strazimiri, Esat Ndreu, Hamdi Dema etj.
Kapitullimi i Italisë më 8 shtator 1943 e sfumoi këtë marrëveshje, por një gjë që bie në sy është prishja e marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjet.
Për çlirimin e Dibrës  së  Madhe janë bërë dy luftëra, një kundër italianëve dhe një kundër gjermanëve, ku roli i forcave çlirimtare të Shqipërisë ka qenë vendimtar dhe ku ka patur shumë të vrarë dhe të plagosur.  Forcat çlirimtare shqiptare ngritën edhe flamurin kuq e zi në qytetin e Dibrës së Madhe,  megjithë protestat e Vukmanovic Tempos e të funksionarëve të tjerë të Partisë Komuniste të Maqedonisë që vepronte nën drejtimin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë  të drejtuar nga Tito.
Mosmarrëveshjet  midis Nacionalçlirimtares dhe parisë në Dibër vazhduan edhe për marrjen e qytetit të Peshkopisë. Qeveria Kuislinge e tetorit 1943, emëroi Jahja Cacin prefekt dhe Miftar Kaloshin komandant të Vendit. Kjo kënaqi parinë e Dibrës dhe Ballin Kombëtar, por jo Nacionalçlirimtaren. Sipas kujtimeve të Haxhi Lleshit, anëtar i Shtabit të përgjithshëm dhe i deleguar për Dibrën, luftën e filluan forcat e Parisë dhe të Ballit. Por një gjë ka rëndësi më të madhe, jo faktin se kush e filloi luftën dhe përse, por a ishte kjo një betejë e luftës antifashiste apo betejë e luftës civile. Në këtë kohë, në tetor 1943 italianët kishin kapitulluar  dhe gjermanët nuk kishin hyrë akoma në Shqipëri. Pra nuk kishte pushtues. Kjo betejë pati bekimin edhe të aleatëve, të misionit anglez në Shqipëri.
Kjo vazhdoi edhe më vonë deri në mësymjen përfundimtare kundër nazistëve gjermanë. Forcat aleate, sidomos misionarët anglezë në thelb ishin kundër Frontit  Nacionalçlirimtar dhe Enver Hoxhës, por përballë faktit se ballistët dhe legalistët i shmangeshin luftës dhe përplasjeve të  drejtpërdrejta me pushtuesit ata u detyruan të mbështesnin Frontin.
Reginald Hibbert në librin e tij Fitorja e hidhur, në kapitullin Beteja e Dibrës, faqe 272 shkruan Politika e përcaktuar nga Partia Komuniste e Shqipërisë që nga Konferenca e Parë Kombëtare, në mars 1943, ishte që të shfrytëzohej  intensifikimi i Luftës Nacionalçlirimtare si mjeti kryesor për t’i dhënë zgjidhje luftës së brendshme politike kundër nacionalistëve. Krerët nacionalistë do të kishin mundësinë për të zgjedhur ndërmjet rrugës së bashkimit me UNCSH   në luftëkundër pushtuesit ose rrugës për të mbetur mënjanë, e  madje, të eliminoheshin. Ishte beteja e Dibrës, (korrik 1944), ajo që vendosi mënyrën se si Abaz Kupi u hoq mënjanë.
Po në këtë libër në faqen 273 për betejën e Dibrës , Reginald Hibbert shkruan:
Beteja nisi me aksione të  forcave lokale, pa dyshim të orkestruara nga Faik Shehu, Haxhi Lleshi dhe Esat  Ndreu. Një anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të sapoformuar të Dibrës, Aqif Lleshi, sulmoi kullat e Hysni Demës në  drejtimin jugor të Dibrës dhe i dogji. Hysniu, vazhdon shpjegimin e tij misionari anglez, kishte qenë një kryetar i njohur i xhandarmërisë, me një histori të gjatë bashkëpunimi me italianët dhe gjermanët. Ai ishte gjithashtu një armik familjar i Aqifit. Nga veriu i Dibrës vetë Faik Shehu me Esat Ndreun dhe çetën partizane lokale kapën qytetin e Peshkopisë më 6 korrik. Myftar Kaloshi i njohur si bashkëpunëtor i italianëve dhe i gjermanëve, marshoi mbi Peshkopi për të dëbuar Faikun dhe partizanët, por u zbrapsën, ndërsa vetë u plagos për vdekje.
Nga kjo tabllo e shkurtër e nxjerrë nga një misionar i huaj aleat, i pranishëm, kushdo e nxjerr përfundimin se Lufta Nacionalçlirimtare në Dibër nuk ishte njëlloj si  në zonat e tjera të Shqipërisë.
Shkurtimisht mund të themi se Lufta Nacionalçlirimtare në Dibër ka patur disa veçori të cilat konsistojnë  së pari , në faktin historik  të padrejtësisë së ndarjes së kufijve të vitit 1913, ku mbeti jashtë Shqipërisë gjysma e Dibrës dhe e dibranëve.
Së dyti, tek mungesa e bashkëpunimit, ose bashkëpunimi vetëm në letër i forcave antifashiste të Maqedonisë me forcat antifashiste të Shqipërisë, ku përfshihen jo vetëm komunistët, por edhe paria e Balli Kombëtar dhe Legaliteti.
Së treti, tek ekzistenca e parisë së Dibrës, e cila për hir të së vërtetës duhet theksuar se ka patur vlera historike gjatë luftërave kundër turqve, serbve, bullgarëve, austrohungrezëve etj, por që gjatë luftës së II Botërore , me daljen në dritë të Frontit Nacionalçlirimtar (nënkupto të Partinë Komuniste të Shqipërisë) hezituan të përfshihen në luftë kundër pushtuesve dhe në disa raste edhe bashkëpunuan me okupatorët.
Së katërti, krerët e parisë së Dibrës të rënë në kurthin e pushtetit dhe të pasurisë  u vunë kundër kundër komunistëve , (që etikoteshin si bolshevikë prej tyre ) duke harruar faktin se komunistët ishin shqiptarë, shqiptari kundër shqiptarit.
Së pesti, mungesa e një koordinimi brenda dhe jashtë Dibrës, lënia jashtë e ndasive egzistuese, me qëllim final fitoren  e luftës dhe bashkimin shqiptar e dëmtoi këtë luftë ku përfituan klanet sllave dhe maqedonase, të cilët kishin depërtuar deri në PKSH dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë  Nacionalçlirimtare.
Ka edhe shumë veçori të tjera të cilat studiues me përvojë do ti evidentojnë dhe do t’i shprehin më me detaje, në njerëz , data dhe ngjarje konkrete.
Në përfundim të këtij studimi të shkurtër do të ftoja të gjithë studiuesit e periudhës së Luftës së II Botërore, dibranë dhe jo dibranë në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë për të dhënë vlerësimin  e tyre për vecoritë e luftës në Dibër sepse sipas mendimit tim ekzistojnë këto veçori,  të thëna e të pathëna, të cilat meritojnë të dalin në dritën e diellit.

S'KA KOMENTE