Institucion i besimit e drejtësisë

233

I nderuar Baba Hysniu dhe ju klerikë të nderuar!
I nderuar deputet i kuvendit të Shqipërisë z.Luan Rama!
I nderuar Kryetari i Bashkisë së Re Bulqizë z.Melaim Damzi!
I nderuar Kryetar i Komunës Martanesh z. Gazmend Kenga!
Të nderuar zonja e zotërinj pjesëmarrës!

Jemi këtu sot në këtë peligrinazh, në këtë vend të shenjtë të Ballëm Sulltanit në emër të kryesisë së “Shoqatës Atdhetare Kulturore Bulqiza” për të kujtuar e nderuar me mirënjohje të thellë Baba Jashar Krenën njërin nga klerikët e paharruar që shërbeu në Teqen e Martaneshit 33 vite të jetës së tij. Ai me veprimtarinë e tij të urtë e të ndritur në rrugën e Haxhi Bektashit bëri histori në krahinat Martanesh, Kostenjë, Grykë e Madhe e Bulqizë dhe ka mbetur në mendjet e shpirtrat e popullit i paharruar.
Ai lindi më 1853 në fshatin Sopoti të Zerqanit e u rrit e edukua me kujdesin e të atit, Selimit e të dashurisë së fisit Krena. Binte në sy bota shpirtërore e të riut Jashar Krena që shumë i ri u vendos në Teqen e Krujës si myhyp punëtor i palodhur, me sjellje të devotshme. Pas tre vitesh e bënë dervish që shërbente në teqe pranë babait.
Me 17 prill 1877 dervish Jasharit në Teqen e Krujës iu dha dekreti për “Baba” në Teqenë e Martaneshit, nga Baba Hysen Kukelit. Ai zëvendësoi Baba Hysen Malin duke vazhduar rrugën e tij.
Në vitin 1878 rilindasit që përgatitën “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” Baba Jasharin e bënë pjesë të kësaj ngjarje të madhe kombëtare të Shqipërisë bashkë me patriotët Abdyl Frashërin, Aqif Pashë Elbasanin, Baba Meleq Shembërdhenjin.
Në Teqen e Martaneshit Baba Jashari iu vesh punës me vullnet e vendosmëri. Ai vendosi bashkë me këshillin e teqes itifakun e dha vetëm drejtësi në zgjidhjen e konflikteve. Kështu fitoi besimin tek bektashinjtë e jo bektashinjtë dhe arriti të pajtoi me dhjetra gjaqe në fshatrat e Martaneshit, Zerqanit, Bulqizës e Kostenjës.
Baba Jashari organizoi ndërtimet e ambjenteve për funksionimin e teqes si institucion besimi, organizimi e gjykimi për problemet e popullit. Ai me mirësitë dhe filozofinë bektashiane punoi gjithë jetën e tij për ta bërë moralin, model të Teqes së Ballesë për të gjithë besimtarët. Prandaj me të drejtë bektashinjtë e veshën personalitetin e Babait të tyre me fuqi mistike.
Në vitin 1909 me frymëzimin e inisiativën e Baba Jashar Krenës u hap shkolla e parë shqipe, në fshatin Peshk, në Teqenë e Martaneshit.
Baba Jashar Krena pasi punoi e jetoi 33 vite në Martanesh, ndërroi jetë më 6 maj 1910 duke na lënë historinë e veprimtarive të tij të shquara që mbeten një shembull frymëzimi brez pas brezi si një baladë e paharruar e shpirtit të tij njerëzor të lartësuar.
Kryesia e “Shoqata Atdhetare Kulturore Bulqiza” duke vlerësuar veprimtarinë e këtij kleriku patriot ka vendosur të nderojë Baba Jashar Krenën (pas vdekjes) me titullin:
“NDERI I SHOQATËS ATDHETARE KULTURORE BULQIZA”
me motivacionin: “Dalluar në vitet 1877-1910 si veprimtar i shquar shoqëror që ngriti Teqen e Ballëm Sulltanit në një institucion të besimit e drejtësisë. Hapi në vitin 1909 shkollën e parë shqipe në Martanesh dhe bashkëpunoi me patriotë për çështjen kombëtare duke marrë pjesë në organizimin e qëndresës së popullit të Martaneshit për liri e zhvillim kombëtar”.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Baba Jashar Krenës.
Ju faleminderit.

* Përshëndetja e Kryetarit të Shoqatës “Bulqiza”

S'KA KOMENTE