Baba Jashar Krena , bektashiu që bëri histori në Martanesh

1641

Baba Jashar Krena pasi punoi e jetoi 33 vjet, ndërroi jetë më 6 maj 1910 në Teqen e Martaneshit dhe po aty u bë edhe varrimi. Në vitin 1967 kur u bë mbyllja e institucioneve fetare nga diktatura komuniste, familja e Baba Jasharit e mori trupin e tij të zhvarrosur dhe e rivarrosi në fshatin e lindjes, në Sopot.

Dritërimi i filozofisë mistike bektashiane ndjeu përhapjen shpirtërore dhe ngrohtësinë e vlerës së këtij besimi në Bulqizë e Martanesh në gjysmën e parë të shekullit të XVIII-të nga Baba Fejzë Bulqiza në vitin 1832, filozofi e krijuar nga hyjnori Haxhi Bektash Veliu.
Bektashiu që bëri histori në Martanesh ka qenë Baba Jashar Krena që lindi më 1853 në fshatin Sopoti të Zerqanit. Ai u rrit dhe u edukua me kujdesin e të atit, Selimit e të dashurisë së fisit Krena.
Megjithëse i ri në moshë, ai u poq shpejt nga mendimi sa filloi të dallojë veprimet e mira e të këqija dhe të kuptoi si fitohet me djersë e punë të ndershme, apo me “hallall”. Veç punës Jashari provoi dhe kurbetin në Stamboll ku u lidh me shqiptarë të shoqërisë “Drita” ku filloi të kuptojë mbi idetë atdhetare. U kthye në moshën 17 vjeç dhe me dëshirën e të atit, i ndikuar nga kontakti frymëzues me fetarët bektashinj, shkoi në teqen e Krujës ku u pranua si myhyp.
-Më dukesh i zgjuar. U ke marrë lejë prindëve? – e pyeti Baba Hysen Kukeli.
-Ata e pritën me shumë dëshirë. – u përgjigj Jashari i ri.
-Të ectë mbarë dhe Zoti të dhashtë shëndet e mendje! – e uroi babai të riun.
Jashar Krena u miqësua me fetarë të njohur në Krujë dhe u lidh me dashurinë që ushqente mistika. Atij i shtonte vetëdijën urtësimi dhe dashurinë ndaj mistikës së Haxhi Bektashit. Në formimin e rritjen e personalitetit të tij bëhen faktor determinues njohja me Baba Hysen Mali, Baba Sufa, Baba Hysen i Krujës, dërvish Ali Hanku. Binte në sy bota e të riut Jashar Krena që ishte punëtor i palodhur dhe me sjellje të devotshme prandaj e vlerësuan dhe pas tre vitesh e bënë dërvish duke e caktuar pranë të shërbente në teqe pranë babait.
Pas pak vitesh Baba Hysen Mali ndërroi jetë në Zerqan. Teqja e Martaneshit mbeti pa baba, por Baba Hyseni e kishte lënë me porosi:”Në Teqen e Martaneshit të drejtojë Baba Jashar Krena”. Bektashinjtë zgjodhën tre burra besimtarë nga Martaneshi, Zerqani e Kostenja që shkuan tek Baba Hysen Kukeli në Teqen e Krujës.
Ai e kuptoi pse kishin ardhë tre bektashinjtë dhe u përgjigjet:” … Atë dervish nuk dëshiroj ta largoj nga teqja se e kisha krah të djathtë”.
-Edhe unë nuk duhet të ndahem prej teje, ejvalla. Nuk mund të ndahem nga dashuria jote” – tha dervish Jashari.
-Kur je shpirtërisht me mua , edhe në Arabi po të ndodhesh, do të jesh pranë meje … “.
-Ti do të ndriçojsh gjithë nahinë e Martaneshit në gjurmët e Ballëm Sulltanit! – i tha Baba Hysen Kukeli.
Me 17 prill 1877 dervish Jasharit iu dha dekreti për “Baba në Teqenë e Martaneshit, nga Baba Hysen Kukelit . Të nesërmen Baba Jashari dhe komisioni u nisën për në Teqen e Ballëm Sulltanit. Martaneshi, Kostenja, Gryka e Madhe e Bulqiza e pritën me dashuri, besim e urtësi në Balle Baba Jasharin. Ai u shfaq si simbol i dashurisë dhe i mëshirës bektashiane. Vizitorët shihnin tek Baba Jashari shembullin e drejtësisë e mistikun hyjnor në udhën e moralit të besimit bektashian.
Ishte lajmëruar dhe Baba Jashari nga rilindasit në vitin 1878 që pregatitën të mblidhnin “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” që të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe kombëtare të Shqipërisë.
Ai mëngjez i paharruar…
Në një mëngjez të paharruar ku bukuria e tij u derdh si dritë shpirti në Ballem Sulltan të Martaneshit. Dritën e zbetë të qirinjëve po e zëvëndësonte një dritë e artë e diellit që po lindëte mbi malet e Kaptinës.
-Kush do jetë nisur me ardhë në teqe sot? – pyeti Baba Jashari vehten me za pak dhe doli në dritare. Fushës së Ballesë po vinin me të shpejtë disa atllarë.
– Or Koçi i Martaneshit!
– Erdha, ejvalla – u dëgjua gëzueshëm zëri.
-Shiko kush po vjen fushës se nuk i dalloj mirë?
-Vallahi, or babë, më duken të largët …
-Shpejt bre, hapni derën e kullës. Për Ballem Sulltan do të jetë Abdyl Frashëri!
Baba Jashari i priti para portës bashkë me këshillin e teqes dhe plot bektashinj nga Dibra, Kostenja, Martaneshi e Bulqiza, Abdyl Frashërin, Aqif Pashë Elbasanin, Baba Meleq Shemberdhenjin. Teqeja u mbush plot me njerëz të gëzuar.
-Dalim në fushë se është ma fresk, or baba – tha Abdyli.
-Vijnë në teqe bektashi nga Bulqiza? – pyeti Abdyli.
-Ka ardhë nipi i Baba Fejzës, Aliu, u përgjigj Baba Jashari.
-Do ta takoj nipin e Baba Fejzës. E kemi pas mik të shtrenjtë bektashi të shtëpisë. Ishte patriot i madh dhe baba im e donte shumë . Në Prizren do ta kujtojmë atë burrë që ka bërë histori -tha Abdyli dhe e takoi Ali Shehun me përzemërsi.
Jashtë u mbush fusha plot me njerëz, armë e kuaj. Ishte gjallëri mahnitëse!
-O burra të urtë, në këtë vend të shenjtë e të bekuar e të ndezur të Shqipërisë për liri e pavarësi kombëtare
-“Nesër unë e Baba Jashari do të nisemi për në Prizren. Atje do të bahet një kuvend i madh mbarëkombëtar për hallet e vendit. Do ti dalim zot Shqipërisë”
-“Jemi gati të vijmë me ju, – gjëmonin zërat e fuqishëm në Fushën e Ballesë.
-“Bashkë me Baba Jasharin do të çojmë në atë kuvend fjalën e besën tuaj.
Dy pika lotë gëzimi pikuan në mjekrën e hijshme të Baba Jasharit.

*    *    *
Baba Jashari iu vesh punës brënda e jashtë teqes me vullnet e vendosmëri. Ai e filloi veprimtarinë me njohjen e zakoneve, traditave e kufinjëve të Martaneshit me krahinat fqinje. Po sa mori dijeni se duheshin 100 napolona flori për të bërë një lidhje martese, ai vendosi bashkë me këshillin e teqes itifakun që të paguheshin vetëm 21 napolona (10 baballek. 10 për pajën e 1 për shkesin) duke shmangur këtë barrë shumë të rëndë për familjet e varfëra. Në bashkëpunim me këshillin e teqes, me myhybët e besimtarët futi në administrim të gjitha tokat e pasuritë duke vendosur rregulla më të drejta për përdorimin e tyre.
Teqja në kohën që u drejtua nga Baba Jashar Krena, u rrit e u hijeshua dhe krijoi ekonominë e saj. Aty krijohej kënaqësi për pritjet e përcjelljet e besimtarëve të cilët e ndjenin për detyrë dhe i shtynte sedri që të ndihmonin aq sa mundeshin. Bujaria dhe detyra e besimit e ngarkonte edhe fukaranë që të jepte kontribute, por babai e ndaloi këtë për më të varfërit. Besimtarët e kapur ekonomikisht i dhuruan teqes parcela toke, bagëti, kafshë pune, dhe u bënë ndërtime. Jeta ndryshoi, së pari në bukurinë e mendimit.
Organizoi popullin e besimtarët për hapjen e kanaleve vaditës dhe përdorimin me rregulla të burimeve ujore duke shmangur ngatërresat e fshatarëve. Organizoi ndërtimet e ambjenteve për funksionimin e teqes si institucion besimi, organizimi e gjykimi për problemet e popullit. Fitoi besimin tek bektashinjtë e jo bektashinjtë për drejtësinë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe arriti të pajtoi me dhjetra gjaqe në fshatrat e Martaneshit, Zerqanit, Bulqizës e Kostenjës. Më 3 maj 1898 vuri themelet e teqes së poshtme në Peshk duke krijuar kushte normale për pritjen e përcjelljen e besimtarëve në çdo kohë. Brënda ambjentit manifestonte dëshirën për të mësuar me etje për dije që e kish filluarnë Stamboll dhe në Teqen e Krujës. Ai kurrë nuk ja kish ndarë sytë babait në Krujë, kur shpjegonte e lexonte. Jeta hapet e mbyllet si zog fluturak dhe në çerdhen ku jeton, thuhet se bëhet hyjnor në magjinë e mistikës bektashiane. Ai i kapi ëndrat e tij si “zog hyjnor”. Me 5 mars 1899 Baba Jashari vajti në Haxhet dhe u kthye mbas tre muajve me kujtime mbresëlënëse për ato vende të shenjta.
Baba Jashari me mirësitë dhe filozofinë bektashiane punoi gjithë jetën e tij për ta bërë moralin, model të Teqes së Ballesë për të gjithë besimtarët. Prandaj me të drejtë bektashinjtë e veshën personalitetin e Babait të tyre me fuqi mistike të shpirtit duke e kërkuar të panjohurën me moralin e besimit.  Veçori e thellë e kërkimit mendor bektashian të Baba Jashar Krenës ishte çështja kombëtare dhe liria e Atdheut. Ai forcoi e ruajti marrëdhënjet me patriotët si Aqif Pasha, duke qenë mbështetës për çështjet kombëtare. Ai kërkoi me vendosmëri uljen e taksës së të dhjetave për Martaneshin si krahinë e varfër dhe mori vendimin e përgjysmimit të pagesës. Këtë populli e priti me shumë falenderime.
Ai mundohej që çdo besimtari t’i japë pamje hyjnore duke i uruar vazhdimisht “Zoti ju bekoftë”!Mendimet e tij diskutoheshin nga bektashinjtë gjatë vizitave në teqe, ku mbushej plot me dashamirës e bujarë. Baba Jashari fitoi besim tek njerëzit për drejtësinë që ushtronte dhe për kujdesin e tij të vazhdueshëm për të kuptuar e zgjidhur shqetësimet që kishin njerëzit. Këshilloi me shumë dashuri më të rinjtë që të mbahen fort në rrugën e nderit e atdhedashurisë. Ndaloi vajtjen në dasëm me armë që të mos ngjanin fatkeqësi. Ai mbrojti me vendosmëri mbajtjen e fjalës së dhënë, pasi besa e lartëson njeriun në marrëdhënjet në shoqëri.
Baba Jashari i ka dhënë dekret dervish Sufës dhe e bani “Baba i Teqes Bllacës”. Edhe kjo teqe, me shëmbullin e Teqes së Martaneshit, bëri historinë e saj.
Baba Jashari rriti personalitetin e tij, duke u njohur me patriotët bektashi Aqif Pashë Elbasanin, Abdyl Frashërin, Baba Meleq Shëmbërdhenji e shumë figura të tjera që shkonin e vinin në këtë teqe. Me këto mendime të Baba Jasharit u dritësua e fuqizua filozofia e Haxhi Bektashit në nahitë e Teqes së Martaneshit.
Veçanërisht i këshillonte besimtarët të çonin fëmijët në shkolla që filluan të hapen si një nevojë e zhvillimit dhe e përparimit të njerëzve në disa vise shqiptare. Nuk është rastësi që në tetor 1909, në fshatin Peshk, në Teqenë e Martaneshit u hap shkolla e parë shqipe me frymëzimin e inisiativën e Baba Jashar Krenës dhe përkrahjen e patriotëve të klubit “Bashkimi” të Elbasanit. Si atdhetar ai më 1908 formoi “Çetën e Lirisë”. Baba Jashari u lidh me patriotë të shquar si: Hoxhë Muglicën, Sheh Sulën, Mehmet Hankun, Hoxhë Vokën, Dërvish Himën, etj. Baba Meleq Shëmbërdhenji solli abetare nga shoqëria “Drita” e Stambollit në Martanesh e Zerqan. Baba Jashar Krena arriti të njohë karakteret e botën psikologjike dhe mendimin e çdo familje që lidhej me Teqen e Martaneshit. Njëherësh mësoi zakonet, traditat, doket si dhe hasmëritë midis fiseve. Krijimi i pushtetit të teqes me anën e këshillit i bindi myhybët bektashi për punën e ndërgjegjësuar të Baba Jasharit. Përzgjedhja e bektashinjve me emër e me peshë virtytesh si: Selim Peshku, Hoxhë Gjoni, Myslim Gërrica, dervish Ali Hanku, Mustafa Pata, Ahmet Muça e Hasan Balla i dhanë Teqes së Martaneshit vlerën dhe autoritetin për t’u lidhur e bashkëpunuar me teqet bektashiane në të gjithë Shqipërinë. Kjo lidhje frymëzoi ndjesitë patriotike për çështjet kombëtare.
Baba Jashar Krena pasi punoi e jetoi 33 vjet, ndërroi jetë më 6 maj 1910 në Teqen e Martaneshit dhe po aty u bë edhe varrimi. Në vitin 1967 kur u bë mbyllja e institucioneve fetare nga diktatura komuniste, familja e Baba Jasharit e mori trupin e tij të zhvarrosur dhe e rivarrosi në fshatin e lindjes, në Sopot.
Idealistit Baba Jashar Krena i gdhendet historia si një baladë e vlerësuar nga shpirti i tij njerëzor, i paharruar.

S'KA KOMENTE