GOLLOBORDA ËSHTË LËNË SI NË MESJETË!

Popullsia e Gollobordës është pakësuar për shkak të emigracionit të pakontrolluar me 6248 banorë

163

Jam një dëgjues i rregullt dhe i pasionuar i lajmeve të reja nga vendi, por edhe për rrethin tim të lindjes, Dibrën, në veçanti edhe për Gollobordën e dashur, ku kam lindur, jam rritur e jam edukuar me ndjenja shpirtërore, si dhe për fshatin tim, Gjinovecin.
Më datë 16 prill, ditën e enjte, si gjithmonë, mblidhet parlamenti shqiptar dhe dëgjova me shumë vëmendje diskutimet e të gjithë parlamentarëve, në veçanti ato të deputetëve të Dibrës dhe të Bulqizës, të cilët debatuan për Rrugën e Arbërit dhe u gëzova pa masë që, më në fund, pas kaq vitesh, mund të përfundojë kjo rrugë kaq e domosdoshme.
Por, me keqardhje të madhe nuk dëgjova asnjë fjalë, nga asnjë deputet që të thoshte se zona e Gollobordës është lënë pas dore, gjendja e së cilës pas viteve ’90, me bindje, më ngjan me atë të viteve 1400, pra, me Mesjetën.
Kjo zonë, deri në vitin 1988, kishte një popullsi prej 14.448 banorësh, të cilët jetonin në 2431 familje. Atëkohë, sipas fshatrave ishte kjo gjendje: Kojoveci kishte 347 banorë dhe 59 familje, Lejçani kishte 593 banorë dhe 110 familje, Orzhanova kishte 437 banorë dhe 76 familje, Ostreni i Madh kishte 1352 banorë dhe 269 familje, Radoveshi kishte 632 banorë e 118 familje, Gjinoveci kishte 187 banorë dhe 58 familje, Klenja kishte 603 banorë e 110 familje, Sebishti kishte 516 banorë e 80 familje, Trebisht-Bala kishte 840 banorë e 131 familje, Trebisht-Çelebi kishte 877 banorë dhe 154 familje, Trebisht-Muçina kishte 504 banorë dhe 81 familje, Vërnica kishte 71 banorë dhe 14 familje, Lladomerica kishte 589 banorë dhe 90 familje, Ostreni i Vogël kishte 1171 banorë dhe 212 familje, Pasinka kishte 166 banorë dhe 32 familje, Tuçepi kishte 605 banorë dhe 101 familje, Tërbaçi kishte 563 banorë e 93 familje, Stebleva kishte 1037 banorë dhe 185 familje, Borova kishte 675 banorë dhe 109 familje, Llanga kishte 559 banorë dhe 90 familje dhe Zabzuni kishte 644 banorë dhe 109 familje, Okshtuni i Madh kishte 346 banorë dhe 62 familje, Okshtuni i Vogël kishte 346 banorë dhe 59 familje, Oreshnja kishte 286 banorë dhe 53 familje, Prodani kishte 196 banorë dhe 34 familje dhe Moglica kishte 84 banorë dhe 30 familje. Sot, e gjithë Golloborda ka në defter, por jo në fakt vetëm 8200 banorë, që jetojnë në 2100 familje, të marrë së bashku për të tri komunat ekzistuese, si: Trebisht, Ostren dhe Steblevë. Pra, pa llogaritur aspak shtesën natyrale të popullsisë, gjë që ka ndodhur, popullsia e Gollobordës është pakësuar për shkak të emigracionit të pakontrolluar me 6248 banorë .
Aq më keq më erdhi për disa deputetë, të cilët e kishin vizituar këtë zonë para zgjedhjeve parlamentare e lokale të fundit, edhe para një viti, kur u festua 100-Vjetori i shkollës së parë shqipe të Trebishtit. Në këtë ngjarje të rëndësishme historike për zonën tonë të Gollobordës, mes të tjerëve ishin dhe deputetë e ministra të nderuar, si: Z. Shkëlqim Cani-Ministër i Financave, Ministrja e Arsimit-Znj. Lindita Nikolla, deputeti Spartak Braho, deputeti Përparim Spahiu, zv.ministri i Energjetikës, prefekti i Dibrës z.Melaim Damzi etj. Unë tentova t’i takoja e t’ua paraqisja gjendjen e keqe të kësaj krahine, por, më penguan, dhe paria e vendit m’u zotua se do t’ua paraqiste gjendjen e keqe ekonomike e infrastrukturore të krahinës së Gollobordës, e cila, tanimë shtrihet në tre rrethe, si Dibër, Bulqizë dhe Librazhd.
Edhe pse unë dhe të tjerë nuk ua thamë se cila ishte gjendja aq e keqe e rrugëve të kësaj zone, nuk besoj se ata nuk e panë me sytë e tyre gjendjen mjerane të këtyre rrugëve, pasi në ato rrugë shkelën dhe ata. Në gjendje të mjerueshme është edhe sektori elektrik. P.sh. fshati Ginovec, që nga viti 2000 nuk ka fare energji elektrike dhe fshati nuk ndriçohet më si dikur. Këtu nuk punojnë televizorët e as telefonat. Unë mendoj se dikush, nën parullën e shkatërrimit të çdo gjëje, shkatërroi dhe sistemin e transmetimit të energjisë elektrike, u shkulën dhe u vodhën shtyllat elektrike, së bashku me telat dhe transformatorët. Sot, në këtë fshat jetojnë pa dritë elektrike, si në Mesjetë, 20 familje me 100 banorë, vetëm për 2 km. gjatësi linje deri te kabina. Arsimi u kthye si në vitin 1948 e më keq, me mësues gjysmëanalfabet, të cilët zëvendësuan mësuesit me shkollë e të kualifikuar. Pati, dukshëm, një postim të vëmendjes ndaj jetës nëpër këto fshatra malorë, deri gati popullsia në këto fshatra u quajt si “pritëse” në kërkesat e tyre, ndërsa kërkesat e atyre që banuan në qytete, u shqyrtuan si përparësi.
Për shumëkënd vendlindja nuk është një nocion gjeografik, përkundrazi, më shumë se kaq. Të gjitha teoritë dhe thëniet e ndryshme e përcaktojnë jetën e njeriut si rikthim në një kohë të caktuar. Mjaftojmë të kujtojmë poemën e Homerit “Odiseja” apo vepra të tjera. Atëherë, përse po ikin njerëzit nga vendlindja? Kush është ai mallkim i fshehtë që i detyron ta lënë vendlindjen dhe të marrin udhët e botës. Kjo pikëpyetje, sot e gjithë ditën, nuk gjen një përkufizim të saktë, të drejtë a të padrejtë, por gjithnjë mbetet e varur si çengel në arsyetimet nga më të ndryshmet, duke i lënë këto zgjidhje si favore dhe disfavore të llojllojshme.
Duke parë fshatra që s’nxjerrin zë sikur të presin një stuhi të madhe, shtëpia të shkatërruara e pa njerëz që heshtin në mënyrë të dhimbshme, klube pa klientë anës rrugëve të pashtruara e gjithë pluhur, më vjen një ide për t’i klasifikuar këto braktisje në afate kohore të ndryshme. Këto krahina nuk u boshatisën në kohë luftërash, atëherë kur kërcënoheshin nga armiq mizorë, si mundet që, kohë paqeje, vetëikën kaq shumë e kaq masivisht këta malësorë me sedër e atdhedashës, duke lënë pas kulla, shtëpi, kullota, pyje, prona e pasuri. Për mendimin tim, gënjeu emigracioni, ashtu si dhe shpërbleu; u rënd pas një jete më pak të vështirë, pa shumë telashe, në qytete, ndaj u rrudh në maksimum popullsia rezidente në këto zona e fshatra.
Shumë parametra jetësorë në këto fshatra dolën krejtësisht jashtë kontrollit dhe vëmendjes. Le të analizojmë në veçanti fshatin Gjinovec, këtë fshat të krahinës së Gollobordës, fshat ky i njohur në histori, i njohur në luftë e në përpjekje të vazhdueshme për identitetin kombëtar dhe për vlera. Në këtë fshat kishte mbi 40 kulla të ndërtuara me gurë të skalitur e dy-tre katëshe, të rralla për nga arkitektura e tyre, edhe me fotografi të mjeshtërve që i kanë ndërtuar. Është një fshat buzë kufirit shtetëror me Maqedoninë. Në vitin 1917, ky fshat, kishte 97 ekonomi (shtëpi). Më 1968 këtu erdhi drita elektrike, e cila, në atë kohë u quajt një sukses. Fshati kufizohet me Klenjën, Steblevën, Ostrenin e Vogël dhe Trebishtin, ka pyje shumë të mira, kullota të shumta, fusha dhe ara ku mbillet patatja, gruri, thekra, male ku rriten shumë bimë mjekësore. Kështu, ky fshat ishte mjaft mirë i jetueshëm dhe atraktiv.
Gjinoveci përfshihet në komunën e Trebishtit. Shtëpitë e tij janë mbi 100-vjeçare, ndërtuar me gurë të latuar dhe brenda më dru të gdhendur. Ai ndodhet 1200 metra mbi nivelin e detit. Dibrën e Madhe e ka 6 km. larg, doganën e Trebishtit dhe rrugën e re e ka 15 km., ndërsa rrugën nacionale e ka vetëm 2 km larg tij dhe vetë Trebishtin e ka 20 km.
Gjinoveci mbahet si një nga zonat më të mira për sa i përket prodhimit blegtoral. Fshati ka edhe mjaft burime ujore, gati një në çdo 200 m. Pra plot ujë për të pirë dhe ujë për të vaditur. Banorët e Gollobordës në përgjithësi, dhe Gjinovecit në veçanti, janë njerëz të besës dhe të punës, njerëz të thjeshtë e të dashur, punëtorë të palodhur dhe të zotë për të kërkuar punën atje ku ndodhet. Si të tillë, këta njerëz punuan atëherë në vepra të famshme të pesëvjeçarëve, të mëdha për kohën. Nuk ka vepër inxhinierike në Shqipëri, ku nuk është dashur dora zbatuese e realizuese e mjeshtërve të Gollobordës. Edhe pse këto gjëra i përkasin së shkuarës, kjo nuk do të thotë se këto janë fjalë për një lavdërim të pamerituar, sepse tradita mbeti traditë dhe këto kanë vlera të gjithëkohshme, pavarësisht luhatjeve të vlerësimit dhe gjykimit, që mund të ndodhin në etapa të ndryshme kohore.
Por, çfarë ndodhi pas vitit 2000? Në vend që të shfrytëzoheshin të gjitha këto resurse natyrore dhe gjithë kjo traditë e mirë e punës dhe e përkushtimit ndaj vlerës së saj për të ndërtuar një jetë më të mirë në fshat, të gjithë ia mbathën, ikën nga fshati dhe krahina e Gollobordës. Politika e mbrapsht e shkatërrimit përfshiu gjithë territorin e vendit dhe Gjinoveci nuk mund të shpëtonte. U shkatërruan shkolla dhe spitali në Klenjë, u shkatërruan dhe vepra të tjera sociale e kulturore.
Në kthesa të tilla historike njerëz të papërgjegjshëm sikur dolën nga dheu dhe u thirrën për të drejtuar, ndërsa pjesa e mençur sikur u asfiksua për të mos e ngritur zërin e për të mos i thënë ndal kësaj katrahure. U shkatërruan shtyllat e telefonit, i vodhën linjat dhe u shkatërrua tërësisht sistemi i elektrifikimit të fshatit.
Po, shumica e njerëzve, ose një pjesë e tyre, nuk e gjetën veten nëpër qytetet, ku shkuan. Ndaj, gjatë verës rikthehen në Gjinovec. Të tilla janë plot 20 familje me rreth 100 familjarë. Këta punojnë tokën e mbjellin patate e bimë të tjera bujqësore, si dhe mbledhin bimë mjekësore. Një pjesë e tyre qëndrojnë për gjatë të gjithë vitit në Gjinovec. Të tjerët ikin dhe kthehen në pranverë, sepse këtu nuk ka drita, fëmijët e tyre nuk kanë si të mësojnë pa drita elektrike e pa shkollë. Në këtë heshtje shkretëtire, ato familje sjellin jetë, mundohen t’i rikthejnë fshatit gjallërinë e munguar.Tabloja e plotë do kohë të rikrijohet, por, gjithsesi, këta njerëz e sjellin afër idenë se rikthimi është i sigurt, të paktën i disave. Kjo jep pak shpresë për Gjinovecin, jep shpresë dhe për të gjithë Gollobordën dhe për të tjera zona malore në të gjithë Shqipërinë.
Është e pafalshme të konstatosh se për këto njerëz nuk kujdeset askush, askush nuk i ka në defter, askush nuk bënë ndonjë shërbim për ta. Heshtin dhe rrinë indiferente politika, hesht dhe rri indiferent dhe shteti i tyre. Kërkesën për drita banorët e këtij fshati e kanë bërë te Prefektura në Dibër, e kanë bërë te Nënprefektura në Bulqizë, por ka rënë në vesh të shurdhër. Tani, për herë të dytë po i drejtohemi deputetit Shkëlqim Cani-ministër i Financave, si dhe deputetit Myqerem Tafaj-ish zëvendës-kryeministër, znj. Lindita Nikolla-deputete, sot ministre e Arsimit dhe Sportit që të kthejnë sytë dhe vëmendjen nga kjo krahinë e nga ky fshat. Tek shikon shtëpitë e shkatërruara të dhëmbin sytë.
Ato nuk kanë qenë të shkatërruara kështu as në vitin 1913, kur Gjinoveci u shkatërrua dhe u dogj i tëri nga pushtuesit serbë dhe banorët ikën muhaxhirë në thellësi të Shqipërisë, si në Elbasan, Tiranë, Durrës, Çermenikë, Mat e tjerë.
I paimagjinueshëm është devijimi i rrugës automobilistike nacionale, kur ajo kalon nëpër Gollobordë. Dikur kjo rrugë lidhte të gjithë fshatrat dhe kalonte shumë pranë kufirit shtetëror. Kjo rrugë është shkatërruar shumë keq, a thua se nuk kishte ekzistuar kurrë më parë. Kjo rrugë, për rreth 100 vjet, ka funksionuar, ka lidhur zonën e Gollobordës me Librazhdin, Dibrën- Peshkopinë, Bulqizën, Tiranën dhe të gjithë Shqipërinë. Sot, për çdo rast urgjence njerëzit duhet të mendojnë të shkojnë më parë në Dibër të Madhe se sa në qytetet e tjera të Shqipërisë që të marrin ndihmën e kërkuar.
Aktualisht, nëpër Gollobordë kalon një rrugë e rikonstruktuar, por e paasfaltuar, e cila e vetme përshkon zonën për të bërë lidhjen me Peshkopinë, Bulqizën, por nuk cek asnjë nga fshatrat e saj. Ky devijim nuk duhej të ndodhte. Duhej rikonstruktuar e asfaltuar rruga e vjetër, rrugë që shkelte fshat më fshat, e cila do t’u shërbente shumë mirë të gjithë fshatrave dhe banorëve të saj. Duket se dikush ka pasur interesa ekonomike për ta kaluar rrugën andej, ku do të ndërtoheshin disa hidrocentrale në Zallin e Okshtunit.
Ky devijim na tremb dhe për një arsye tjetër gjeostrategjike, po, do Zoti, nuk ndodh ashtu. Serbia gjithmonë ka lakmuar ta vërë kufirin në Studen, pikërisht aty ku është devijuar rruga, te Zalli i Borovës për të dalë në Çerenec, tek Ura e Shupenzës. Por, serbët e bullgarët nuk ia arritën qëllimit, sepse krahina e Gollobordës historikisht ka derdhur gjak për të mbrojtur etninë e vet, lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Të gjithë treguesit e Gjinovecit dhe të shumicës së fshatrave të Gollobordës japin garanci dhe mundësi zhvillimi, por mjafton një vëmendje dhe interesim më i madh qeveritar për ta realizuar këtë. Duhen korrigjuar politikat qeveritare të derisotme ndaj krahinës së Gollobordës dhe fshatrave të veçanta të saj. Në këtë zonë malore duhen zbatuar politika ekonomike, të cilat sjellin mirëqenie dhe zhvillim të turizmit malor, pasi këto fshatra e këto vende janë perla turistike.
E shkrova këtë shkrim me shpresën që të sensibilizohet opinioni i komunitetit dhe opinioni zyrtar me synimin që krahina e Gollobordës të mos jetë kjo që është, por të ndryshojë tërësisht në formë dhe në përmbajtje. Ky shkrim le të jetë edhe një thirrje për intelektualët e shumtë e me vlera që kanë dalë nga kjo krahinë atdhetare, zëri i të cilëve mund të dëgjohet, si: Kristaq Traja, Ismail Oshafi, Kosta Karanxha, Njazi Seferi, Sulejman Zhugli, Ilia Mazniku, Sulejman Muça, Dritan Shutina, Agim Gjini, Kadri Dauti, Myqerem Tafaj, Ligor Nikolla etj. që edhe ata të ngrenë zërin e tyre prej intelektuali që krahina jonë e veçantë të mos lëngojë më nga harresa qeveritare, sepse, siç ka thënë dijetari anglez George Mor: “Njeriu, shkon nga shkon për të gjetur atë që kërkon, dhe, në më fund e gjen në vendin e tij”.

S'KA KOMENTE