Ballëm Sulltan, 2015

355

29 qershor 2015 – Mëngjez i bukur vere. Qielli me re të shpërndara i sapo ndriçuar nga rrezet e diellit shfaq një pamje shlodhëse. Bashkë me Dr. Islamin e kishim lënë të takohemi në mëngjez herët dhe po prisnim të vinte Hysen Duriçi, që me fuoristradën e tij do të na dërgonte ne si përfaqsues të shoqatës “Bulqiza” të merrnim pjesë në peligrinazhin që organizohet prej mbi dhjetë vitesh në Ballem Sulltan. Vajtja nuk ishte vetëm një pjesëmarrje, por një mision. Ashtu vetiu kur je duke pritur, mësuesi dhe doktori po bisedonin lidhur me meritat e njerëzve të shquar në kohë të ndryshme, pasi dhe misioni i tyre në këtë ditë me këtë kishte lidhje. Në kryqëzim mbërrin vetura e zezë dhe Hyseni na përshëndet me buzëqeshje edhe ne gjithashtu.
-Mirëmëngjes! – thotë Hyseni sapo hapi derën e makinës.
-Mirëmëngjes u përgjigjën të dy njëherësh.
-Të ulet njëri këtu përpara. -kërkoi Hyseni.
-Jo,jo! Aty do të ulim Lutfiun që po na pret në Rrugën e Dibrës. -tha Bashkimi.
U ulëm dhe Hyseni u nis duke kontrolluar me kujdes rrugën që sa vinte e po mbushej me makina e këmbësorë.
-Hysen! Qenka rritur djali e bërë burrë! -tha Bashkimi.
-Po, rriten fëmijët. Sa dëgjoi se sot shkojmë në Balle kërkoi të vinte me ne.
-Shumë mirë e ke ba. Kështu na ulet mesatarja e moshës së grupit. Ngjitja në male don gjunjët e të rinjve, -bëri shaka Bashkimi.
-Në mal do ngjitet kjo “arusha e zezë”, -u përgjigj Hyseni duke qeshur.
-Baba yt, Isuf Duriçi, ka punuar shumë vite në gjeologji dhe në malet e Bulqizës e Martaneshit ka ecur në këmbë.
-Ashtu ishte ajo kohë. Baba im ka punuar me mushkë. Këtë veturë komode nuk e kishin as qeveritarët që atëherë kishin gaz-69 ose xing-fu. Populli udhëtonte në karroceri mbi krom. Me këto biseda arritën tek akademia ku priste shkrimtari Lutfi Hanku. Hyseni ia ndaloi makinën tek këmbët dhe hapi derën. Lutfiu pasi na përshëndeti u ul në sedilen e parë.
-O Bashkim! Kush është ky djalë që nuk po e njoh? -pyeti Lutfiu për shoferin.
-Është Hysen Duriçi, djali i Isufit,- u përgjigj Bashkimi.
-Qenka pinjolli i patriotit Mehmet Duriçi. Është gjë e bukur. Për realizimin e misionit tonë, u bë pjesë djali i një familjeje patriote. Hallall, o Hysen! Zoti ta shtoftë bujarinë!
-Amin!- u përgjigj Hyseni duke kuptuar respektin e shkrimtarit.
Shumë shpejt u gjendëm tek “Fresku” dhe u futëm në maloren e Linzes.
-Heu bre! Beton githandej e rrugët shumë të ngushta. Pallatet ngjit me njëri-tjetrin.Të zihet fryma këtu në Tiranë. -tha Bashkimi
-E po. Tek gjelbërimi po shkojmë. -vazhdoi bisedën Lutfiu.
Ishim esëll. Donim të pinim kafe, por asnjë lokal nuk ishte hapur. Kaluam Qafën e Linzës, Guroren, Lanabregasin, Surrelin e po ngjiteshim për në Qafën e Priskës. Aty vendosëm që të marrim drejtimin e Qaf Mollës. Kaluam pranë reparteve ushatrake që vinin njëri pas tjetrit.
-Këtu është reparti ku u çmontuan armët kimike të ushtrisë tonë, -tha Bashkimi.
-Do çmontoheshin edhe ato të Sirisë por protesta popullore e ndaloi. -tha Islami.
Shtëpitë e fshatit nxirrnin çatitë mbi gjelbërimin që i rrethonte por asnjëri nga ne nuk kishte njohje për këto vise për të vazhduar tregimin që kishim nevojë.
-Atje poshtë është Zall-Dajti ku do të kalojë Rruga e Arbërit e do të ngjitet nëpër luginë deri në Qafë-Murrizë. -tha Bashkimi.
-Shumë vite u bënë që ne dibranët e presim të bëhet kjo rrugë, por deri tani pak punë e premtim pas premtimi. Me ëndrra jemi akoma. Të shohim, a do të fillojnë kinezët? -vazhdoi Islami
-Shpresa vazhdon. Ishalla fillon! -plotësoi Hyseni.
Kaluam edhe Selitën, ku merret uji i pishëm për Tiranën qysh nga 1950-ta.
Hyseni bën kujdesin e duhur në timon pasi rruga është e ngushtë dhe me shumë kthesa.
-Sa mirë e paska riparuar rrugën biznesmeni Shaqir Alhasa që merret me shfrytëzimin e pyjeve, -thotë Hyseni.
Hyseni gjithashtu kujton fëmijërinë, porositë e babait të tij për të qenë pranë punëve.
– Me djersë, o babë po deshe të flesh rehat. Punoni dhe mos harroni traditat. Kemi qenë shtëpi me derë të hapur për miq e akraba. Pushtuesve u kemi treguar pushkën, se liria është e shtrenjtë, -kujton Hyseni disa shprehje që Isufi i përmendte shpesh në biseda me miqtë.
Indriti, e zbukuron bisedën gjatë udhëtimit duke shpalosur ëndrrat e tij rinore. Është 20 vjeç dhe sa ka mbaruar të mesmen ekonomike.
-Babin e ndihmoj me kujdes me llogaritë, planifikimet, pagesat në bankë, -thotë ai duke parë me kujdes si po e ndjekim ne tregimin e tij. -Jam në dijeni për çdo detaj në biznesin që kemi. Duket largpamës e vizionar për të bërë investime të reja edhe në fushën e turizmit.
Doktori kujton udhëtimin në këmbë në Rrugës së Arbërit me të atin kur ishte i vogël.
-Dymbëdhjetë orë na u deshën për të mbërritur në Bulqizë. -tha ai.
Shkrimtari shpreh kënaqësinë që ndjen për këtë udhëtim në këto vise të gjelbëruara që na bëjnë të harrojmë vështirësitë e Hysenit në timon.
-Mos shko në Balle -më tha vajza -se do të lodhesh. Unë e kisha vendosur për këtë udhëtim. Falenderoj këtë djalin e Duriçëve që po na dërgon sot në Balle. Kemi një detyrim të madh për të nderuar Baba Jashar Krenën që ka qenë simbol i njeriut patriot dhe besimtar e klerik bektashian i devotshëm. -theu heshtjen e shkurtër Lutfiu.
Kaluam Linosin ku doktori na kujtoi se aty ka qenë spitali për kohë lufte, dhe rezervat e shtetit po për kohë lufte. Bashkimi tha se këtu degëzon rruga për në Gurë të Bardhë e Klos që ka qenë rrugë ushtarake. Tek Kroi i Kuq ku rruga degëzon majtas për në Bizë e Balle, ndërsa djathtas për Elbasan e vetëm 6 km deri në Shëngjergj. Në një klub në anë të rrugës u ulëm e porositëm kafe. Nuk e kishim ndjerë lodhjen e udhëtimit prej dy orësh në këtë rrugë malore të vështirë.
-Keni më pak se një orë rrugë deri në Balle ,-tha kafexhiu që e kuptoi se ishim dibranë që rrinim në Tiranë.
Aty lexuam fjalën e përshëndetjes që do ta mbante njëri nga ne në mitingun që bëhej në çdo vit me pelegrinët. U vendos që përshëndetjen ta lexojë Bashkimi.
Dielli kish filluar të ngjitej, lulet e lëndinave dhe gjelbërimi të krijonin një kënaqësi të veçantë. Menjëherë arritëm në Pllajën e Bizës, gjelbërim e lule bari nga do që kthen sytë. Në anën lindore të pllajës duken ndërtesat e shkatëruara të Bizës që bënin kontrast me çadrat e reja gjigande të një reparti ushtarak. Në qoshe të pllajës shohim një stan me dhi ku duket se ka jetë. Para njëzet vitesh këtu ishte qendër e banuar me familje ushtarakësh dhe të punonjësve pyjorë. Në Bizë mbilleshin disa ha me patate e thekër pasi është lartësi e madhe. Rruga në vazhdim gjarpëron në një luginë të ngushtë me pyje ahu të hollë e të dendur. Pas një kthese na shfaqen disa tunele të ushtrisë që i kishin kthyer në stan. Dhitë kalonin natën në ato tunele gjigandë duke qënë të sigurta nga moti i keq dhe nga egërsirat. Tek njëri tunel dukeshin shumë bidonë qumështi dhe dy veta që merreshin me punë. Këtu para 25 vitesh qenë disa reparte ushtarake. Në Balle bënin pushime e stërvitje të mëdha ushtarakët madhorë.
Pasi kaluam në anën e liqenit artificial arritëm në oborrin e Teqes së Ballesë. Në anën jugore të mahnit një majë mali rrumbullake e mbuluar me gjelbërim ku duket në faqe Shpella e Ballëm Sulltanit dhe rruga shkallare e mbushur plot me pelegrinë që ngjiten e zbresin grupe-grupe pa pushim. Vetëm godina e vjetër e teqes ka qenë dikur, ndërsa tani janë dhe disa të tjera që janë zbukuruar me flamurë kombëtar e bektashian. Oborri është i mbushur plot me burrra, gra e të rinj që lëvizin rreth shatërvanit që grupe- grupe bëjnë vizita tek Baba Hyseni që i pret në kafe oxhak. Oborri është vendosur më lart se livadhet që e rrethojnë dhe lugina e pelegrinazhit duket si në pëllëmbë të dorës, ku dallohen lëvizjet e njerëzve që qarkullojnë sa andej-këndej si në një zgjua gjigand me “bletë”.
Tyrbja e Ballëm Sulltanit ka historinë e saj. Mahmud Pasha i ardhur në Dibër në krye të ushtrisë turke pa në ëndërr dy netë rresht se në një shpellë në malet përreth gjëndej një shenjtor që bën mirë njerëzisë. Më 1795 nga gryka e shpellës, disa herë ushtarët panë me sytë e tyre që dilte flakë e madhe me zhurmë të fortë. Mahmud Pasha u bind se këtu ndodhet një vend i shenjtë dhe e vlerësoi duke ngritur një ndërtesë përballë shpellës ku vendosi njerëz të paguar për të ndezur qirinj në çdo natë dhe vetë u largua nga Martaneshi pa bërë luftë e pa realizuar detyrat e tij. Populli i thuri këngë këtyre ndodhive që u bënë hymn për gjithë Martaneshin.
Mahmud Pasha rrem dragoi,
Të nëntë malet ç’i kaloi,
Martaneshin s’un e shtroi.
Aty ndodhet Vend i Mirë,
S’duron Pashë, s’duron Vezirë…
Ky Vend i Mirë mori emrin Ballëm Sulltan, që është piri i dytë i bektashizmit si rezultat i reformave themelore shumë të rëndësishmne që Ai bëri në bektashizëm. Ballëm Sulltani ka lindur në qytetin e Dimotekës në vitin 1452 dhe Ai e zgjodhi shpellën që mori emrin e tij në malet e Martaneshit ashtu si Baba Aliu zgjodhi malin e Tomorrit, Sari Salltiku zgjodhi shpellën në malin e Krujës.
Tyrbja me emërin e Ballëm Sulltanit në Balle të Martaneshit u bë shumë e njohur jo vetëm në krahinën e Martaneshit por në Zerqan, Bulqizë, Kostenjë, Çermenikë, etj.
-Të takojmë “Babain” e të pimë një kafe – thotë Lutfiu dhe ne ashtu bëmë.
U ngjitëm në katin e dytë ku ishte dhoma e mbushur plot me vizitorë. Takuam e u përshëndetëm me Baba Hysen Shehun e Dërvish Xhemal Kaçën. Aty gjetëm plot besimtarë që vinin nga Martaneshi, Bulqiza, Zërqani, Kostenja, Okshtumi, Tirana, etj. Disa vajza të reja na ofruan gjithë respekt karamele, kafe e raki. Në muret e dhomës dalloheshin korniza me portrete shenjtorësh e baballarësh që kanë shërbyer në atë teqe në kohra të ndryshme. Në bisedë me Baba Hysniun i bëmë të ditur misionin tonë si përfaqsues të “Shoqatës Bulqiza” për nderimin e Baba Jashar Krenës me titullin “NDER I SHOQATËS ATDHETARE KULTURORE BULQIZA”. Ramë ndakort që çertifikatën ta dorëzonim publikisht në mitingun që do të behej përpara pelegrinëve.
Në Tyrben e Ballëm Sulltanit që tashmë i thuhet Teqja e Martaneshit kanë shërbyer disa baballarë. Ajo u themelua nga Baba Hysen Mali në vitin 1870 aty ku ishte Kulla e Mahmud Pashës, përkarshi shpellës së Ballëm Sulltanit, duke u kthyer në institucion bektashian që ka krijuar traditën e vazhdimësisë në rrugën e Haxhi Bektash Veliut. Baba Hysen Mali e drejtoi Teqen e Ballëm Sulltanit në Balle të Madhe deri në vitin 1877 kur ndërroi jetë. Më 17 prill1877 u dekretua Baba Jashar Krena që e drejtoi Teqen e Martaneshit deri më 6 maj 1910. Në 1898-1899 u ngrit teqeja e poshtme dimërore në Peshk duke funksionuar si një teqe. Më pas Teqen e Martaneshit e kanë drejtuar Baba Hajdari për 13 vjet, Baba Hajro, Baba Rushiti, Baba Xhaferri, Baba Faja Martaneshi, Baba Aliu, Baba Xhemali, Baba Tahiri Baba Selimi, Baba Sherifi, Baba Hasimi, Baba Maliqi, Baba Halili dhe sot e drejton Baba Hysni Shehu. Dorë pas dore në drejtimin e Teqes së Ballëm Sulltanit u ndoq tradita e patriotizmit të prirur nga idea: “Pa Atdhe, nuk ka fe” duke qëndruar afër problemeve që kishte shqetësim populli për ti zgjidhur me drejtësi, kështu teqeja u bë institucion i rëndësishëm besimi dhe zhvillimi. Më 29 qershorë 2003, në 133- vjetorin e ngritjes së Teqesë së parë bektashiane në Martanesh, pranë Tyrbes së Ballëm Sulltanit grupi i nismëtarëve për organizimin e Pelegrinazhit në Ballé me në krye doktorin Agim Ali Biçaku, Kryegjyshit Botror, Haxhi Dede Reshat Bardhi miratoi zhvillimin pelegrinazhit në këtë ditë madhështore të fillimit të veprimtarisë së kësaj teqeje si institucion besimi bektashian dhe organizimi e zhvillimi në të gjitha fushat në këtë zonë. Në çdo vit marrin pjesë në këtë peligrinazh me mijra vetë, duke i dhënë pamje mjaft të bukur festive. Më pas siç ishim, takuam shumë klerikë e besimtarë të njohur si Baba Halil Curri, dervish Sali Peti, etj. Ju bashkuam karvanit të pelegrinëve që vizitonin shpellën e Ballëm Sulltanit. Aty bëmë edhe disa fotografi për të kujtuar këtë rast kaq mbreslënës. Afër mesditës u vendosëm në podium për të filluar mitingun. Pelegrinët sa e panë këtë u afruan për të parë e dëgjuar. Agim Biçaku na njoftoi se përfaqësues të “Shoqatës Bulqiza” do të ngjiten në tribunë dhe të mbajnë fjalën e tyre të përshëndetjes dhe dekorimi t’i dorëzohet “Babait”. Ne i kërkuam që të përshëndeste edhe z. Hajrulla Krena si përfaqësues i famljes së Baba Jeshar Krenës.
Mitingun e hapi z.Skënder Gjoni, Kryetar i “Shoqatës Martaneshi” dhe sekretar i Teqes së Martaneshit. Në miting folën Baba Hysni Shehu, z. Luan Rama, deputet i kuvendit të Shqipërisë, z. Melaim Damzi, kryetar i Bashkisë së Re Bulqizë, z. Gazmend Kenga, kryetar i komunës Martanesh. Në emër të “Shoqatës Bulqiza” përshëndeti kryetari z. Bashkim Lami i cili më pas i dorëzoi çertifikatën që nderon Baba Jeshar Krenën me titullin “NDERI I SHOQATËS ATDHETARE KULTURORE BULQIZA”, Babait të Teqes Martaneshit. Përshëndeti në emër të familjes së Baba Jasharit, z. Hajrulla Krena. Përpara pelegrinëve u dha një program i shkurtër artistik nga një grup amator me rapsodin Agim Huna, këngëtarin Endri Kënga, grupi i vajzave me kostume popullore martaneshi që gjithashtu recituan e kënduan mjaft bukur. Gjatë gjithë ditës vizitat e pelegrinëve tek shpella e Ballëm Sulltanit vazhduan pa ndërprerje. Tregtarë të ardhur enkas për këtë rast plotësonin kërkesat e njerëzve për ushqim të gatshëm me mish të pjekur e pije freskuese nga të gjitha llojet. Babai i Teqes së Martaneshit shtroi një drekë për të gjithë të ftuarit e ardhur nga Tirana, Mallakastra, Martaneshi, Bulqiza, Zërqani e Kostenja. Gjatë drekës u kënduan këngë patriotike e lahi fetare nga Baba Hysni Shehu, dervish Xhemal Kaça, myhype Bukurie Alhasa, i riu Adrian Haslika, rapsodi Agim Huna e pjesmarrës të tjerë, duke krijuar një atmosferë të gëzueshme e festive sipas traditës së besimtarëve bektashianë.
Shoqata “Bulqiza” do të vazhdojë edhe në të ardhmen të zbatoi programin e saj për të vlerësuar kontributet e dobishme njerëzore, në fusha të ndryshme e kohë të ndryshme, duke synuar të mbaj gjallë kujtesën në brezat e rinj.

S'KA KOMENTE