KËSHILLI I RI BASHKIAK I BULQIZËS PËRPARA SFIDAVE TË REJA

Edhe në Bulqizë me Reformën Administrative, bashkia do të rregullojë dhe kryejë shumë shërbime publike

164

Përgjegjësi dhe funksione të reja do të transferohen nga pushteti qendror në Bashkitë e reja që u krijuan pas zgjedhjeve. Në themel  të decentralizmit qëndron parimi i subsidiaritetit, sipas të cilit ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve. Filozofia e decentralizimit të pushtetit nënkupton që shërbimi publik të veprojë në çdo cep të teritorit dhe të ndjehet te çdo banorë. Në të kundërt nuk do të ishte efektiv shkurtimi i komunave

Këshilli Bashkiak i Bulqizës me kompetencat e reja do të realizojë  të drejtën e qytetarëve të saj, brenda bashkësisë së zgjeruar territoriale që në mënyrë të pavarur të qeverisin punët e tyre, nëpërmjet këshillit dhe kryetarit që i zgjedhin vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë.  Në kushtet e reja që krijohen pas zgjedhjeve edhe Këshilli Bashkiak i Bulqizës do të ketë përgjegjësi të reja, vizion të ri, në ushtrimin e kompetencave dhe të prognozave të zhvillimit. Parimi i decentralizmit të pushtetit është parim thelbësor mbi të cilin ngrihet dhe funksionon qeverisja vendore.  Natyrisht pushteti ushtrohet nëpërmjet parimit kushtetues të autonomisë vendore dhe kushtëzon ekzistencën e një pushteti vetë qeverisës vendor, sipas koncepteve të përparuara të organizimit të shtetit demokratik. Këshilli i ri Bashkiak i Bulqizës duhet të zotërojë aftësi efektive për të rregulluar e për të drejtuar, brenda ligjit, nën përgjegjësinë e veta dhe në të mirë të popullsisë, një pjesë të mirë të çështjeve publike. Kjo e drejtë ushtrohet nga këshilli i përbëra nga anëtarë të zgjedhur me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë e universal dhe që do të ketë organe ekzekutive përgjegjës në vartësi.  Organizimi dhe e funksionimi i qeverisjes vendore  dhe raporti që ajo ka me pushtetin qendror do të bazohet në zbatimin  kushtetues dhe ligjor që i jepet decentralizmit të pushtetit, autonomisë vendore dhe vetëqeverisjes.
Përgjegjësi dhe funksione të reja do të transferohen nga pushteti qendror në Bashkitë e reja që u krijuan pas zgjedhjeve. Në themel  të decentralizmit qëndron parimi i subsidiaritetit, sipas të cilit ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve. Filozofia e decentralizimit të pushtetit nënkupton që shërbimi publik të veprojë në çdo cep të teritorit dhe të ndjehet te çdo banorë. Në të kundërt nuk do të ishte efektiv shkurtimi i komunave. Bulqiza është një terren i thyer që nga Golloborda, Tërnova dhe Krasta me rrugë dhe infrastrukturë të dobët, me papunësi dhe varfëri të skajshme ndaj kërkohet nga Këshilli i ri Bashkiak i  Bulqizës që të marrë përgjegjësi për zgjidhjen perspektive të kësaj zone me plane strategjike zhvilluese afatgjatë.

Decentralizm…
Edhe në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Bulqizë,  decentralizimi do të ketë impakt, pasi do  të ketë përmasat e veta, politike, administrative dhe financiare, të cilat ndërveprojnë midis tyre dhe përfaqësojnë në thelb tre komponentët e pushtetit. Decentralizmi është politik dhe përfshin transferimin e autoritetit politik në nivelin vendor nëpërmjet një sistemi përfaqësimi të bazuar në zgjedhjet politike vendore. Nëpërmjet decentralizmit administrativ transferohet përgjegjësia për çështjet e administrimit të disa funksioneve publike qendrore te njësitë vendore, ndërsa decentralizmi financiar i referohet  zhvendosjes së pushtetit financiar pranë nivelit vendor, me qëllim pajisjen e tij me autoritet më të madh në administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Këshilli Bashkiak i Bulqizës do të sigurojë  qeverisjen në një nivel sa më afër qytetarëve nëpërmjet  njohjes së resurseve të pasura ekonomike që ka Bulqiza në pasuritë minerare, pyjore, ujore, turizmi malorë, vlerat etnografike dhe kulturore, vlerat historike dhe përfaqësimet e shquara humane, diversiteti kulturor midis fshatrave dhe zonave që përfshin e gjithë bashkia e zgjeruar.   Gjithashtu do të  afirmohen më shumë vlerat e historisë së krahinës, ekzistencës së identiteteve dhe vlerave të ndryshme të bashkësive, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve të sanksionuara në Kushtetutë dhe në ligje të tjera, zgjedhjes së llojeve të ndryshme të shërbimeve dhe lehtësirave të tjera publike vendore në dobi të bashkësisë.

Transparencë…
Duke ushtruar në mënyrë më  efektive të funksionet, kompetencat dhe realizimi i detyrave nga këshilli bashkiak, realizimi i shërbimeve në forma të përshtatshme dhe duke nxitjur  pjesëmarrjen edhe të bashkësisë në qeverisjen vendore do të sigurohet njëherazi edhe një transparecë më e madhe ndaj publikut.  Me rritjen e autonomisë lokale, njësitë vendore përgjithësisht kanë fituar një shkallë autonomie edhe në fushën e të ardhurave të veta, por ndryshimet ligjore, sidomos në fushën fiskale, japin impakt të ndjeshëm në burimet e tyre  financiare. Këtu,  bëhet fjalë për njësi që  mbledh të ardhura  për buxhetin e Bashkisë Bulqizë dhe që do të mbulojë një pjesë të mirë të përmirësimit të infrastrukturës duke mos u bazuar vetëm nga grandet e qeverisë. Në buxhetin e  Bashkisë duhet të rritet ndjeshmëria nga ndryshimet ligjore në fushën  fiskale.  Taksat vendore dhe tarifat duhet që të gjallërojnë më shumë jetën ekonomike të zonës dhe i japin shanse të reja për hapjen e vendeve  të punës dhe një liri më e madhe e tregut.  Ligji nr. 9632  “Për taksat vendore”,  u jep mundësi pushteteve lokale të hartojnë paketën fiskale të taksimit biznesit në territoret e tyre, duke bërë dhe diferencime në intervalin e lejueshëm të ulje-ngritjes së treguesve dhe na jep mundësi për  ngritjen e një sistemi të drejtë taksimi  dhe grumbullimi të të ardhurave. Për njësi vendore si Bulqiza, ku në zona të largëta, me një terren të thyer dhe të vështirë malor që ka kosto të lartë shërbimi, tavanet buxhetore duhet të mos bëhen pengesë  për grumbullimin e të ardhurave të mundshme. Sa më i kualifikuar të jetë këshilli bashkiak në përbërjen e tij aq më mirë do të menaxhohet qeverisja dhe do të përmirësohet cilësia e jetës në Bulqizë. Këtu  merr rëndësi të veçantë llogaritja e saktë e këtyre kostove dhe bërja e transparencës me taksapaguesit, me qëllim që ata të  ndërgjegjësohen se janë duke paguar  në nivelin që njësia shpenzon  realisht për shërbimin e ofruar. Për Bulqizën, një burim  i rëndësishëm për të ardhurat vendore është taksa mbi pasurinë. Është diskutuar shpesh, aplikimi i taksës së pasurisë mbi vlerën e tregut, çka do të ishte mënyra më e drejtë. Kështu që bizneset e Bulqizës janë një shpresë e re për përmirësimin e jetës sociale dhe ekonomike të banorëve që përfshin Bashkia Bulqizë. Pas regjistrimit të pasurisë me të gjitha të dhënat e nevojshme,  krijohet mundësia e taksimit të pronës mbi vlerën e tregut, që krahas përfitimeve  të tjera  do të shërbente edhe për vlerësimin e saj me vlerën e tregut dhe diferencimin e nevojshëm të barrës fiskale të taksapaguesit.

Kontrolli i teritorit…
Një rëndësi të madhe për Bashkinë e Bulqizës merr edhe kontrolli i teritorit dhe qeverisja me efikasitet i tij.  Duke u mbështetur në një  paketë ligjore ku  përcaktohen qartë procedurat, strukturat përgjegjëse dhe sanksionet, ndikon  në uljen e informalitetit dhe rritjen e të ardhurave vetjake, duke rritur shanset mbi mundësinë e administrimit  dhe  harmonizimit më mirë të interesave të zonave përkatëse, sipas problematikave specifike të shërbimit publik.  Një mekanizëm i testimit të kapaciteteve ekonomike të të gjithë teritorit, në bashkëpunim me organizma të tjera dhe me qeverinë, të planifikojnë, mbledhin dhe menaxhojnë këto të ardhura, me transparencë, dhe me studime afatgjata dhe perspektive për zonën që mbulon Bashkia e Bulqizës.  Këshilli Bashkiak i Bulqizës lipset të ketë aftësinë që të mund ta  menaxhojnë vetë procesin.  Autonomia lokale është e drejta e plotë për të ndërmarrë nisma me interes publik vendor për çdo çështje që nuk ndalohet me ligj ose që nuk i është dhënë ekskluzivisht me ligj një organi tjetër shtetëror.  Një rol të rëndësishëm luan filozofia dhe kuptimi real që merr qeverisja vendore në krahasim me të kaluarën që nuk ka patur ndarje të qartë të kompetencave dhe për rrjedhojë shumë nisma ishin në dorë të qeverisjes qendrore.  Subsidiariteti – parimi që, kurdoherë që është e mundur, shërbimet dhe funksionet duhet të kryhen në atë nivel të qeverisjes që është sa më pranë shtetasve (Neni 2, Ligji Nr.8652/2000) . Kompetenca – zotësia për të vepruar dhe nxjerrë akte. Aktualisht janë  7  komuna dhe 1 bashki që përbëjnë Bashkinë e zgjeruar të Bulqizës. Edhe në Bulqizë me  Reformën Administrative, bashkia do të  rregullojë dhe kryejë shumë shërbime publike, vendosë dhe mbledhë taksa dhe tarifa vendore dhe, në emër të pushtetit qendror, menaxhon edhe funksione të deleguara qeverisëse. Fondet për kryerjen e këtyre funksioneve vijnë nga taksat dhe tarifat vendore dhe nga transfertat e pushtetit qendror dhe për këtë shpresojmë se reforma do të japë frytet e saj. Roli i këshillit rritet dhe merr përgjegjësi të reja për realizimin, si dhe ka lirinë dhe autoritetin të marrë vendime e të përdorë mjete për realizimin e tyre, brenda hapësirës së normave, kritereve dhe standardeve të pranuara përgjithësisht me ligj, duke zotëruar autoritet të plotë në vendimarrje. Kështu që Këshilli Bashkiak i Bulqizës do të jetë përballë sfidave të reja, për një drejtim dhe menaxhim në qeverisjen e re vendore, ku me iniciativën e vet, të përdorë burimet e saj, për plotësimin e funksioneve të deleguara në mënyrë që të arrijë një nivel më të lartë shërbimesh në interes të komunitetit.

S'KA KOMENTE