Bulqiza, një qytet i“kafshuar”

170

Koha bëri të vetën. Ditë pas dite, muaj pas muaji e vit pas viti, Bulqiza e fshehur u trupëzua në përmasat e sotme.

Si kanë rrjedhur më se 67 vite të Bulqizës minierë? Nga lagja që quhet “Qyteti i ri” panorama përballë është thuajse gri. Aty pushon i gjithë “guri i keq”, mbase i pezmatuar që e ndan nga sivëllau i tij, mbase i turpëruar që nuk është në vendin që i takon, mbase dhe i çuditur pse nuk e lënë rehat, por po ia trazojnë “kockat”, thjesht duke e “kafshuar”, për ta bërë edhe më bajat se ç’është…

11297003_1135825366443149_1959688293_oKjo lugina e Matit, edhe pse nuk e ka pranuar njeriun të jetojë në gjirin e saj, ka pranuar t’i vihet në shërbim atij duke i ofruar një reliev të përshtatshëm për hidocentrale dhe një anëmal plot e përplot me bimësi e pyjetari. Nuk e kam shkelur këtë anëmal po sytë i kam kullotur pothuajse në çdo “pëllëmbë” të tij. Pastaj ngjitem në Burrel. Një qytet si gjithë qytetet që u quajtën të tillë në këto 50- 60 vjetët e fundit. Nuk ndaloj për të pirë kafe. As për ta parë në sy mbretin nga Burgajeti, sepse mendoj se as ai nuk e ka parë akoma atë që kërkon të gjejë. Vazhdoj drejt Klosit për të ngjitur me mundim Qafën e Buallit. Nuk e di pse kam përshtypjen që dua t’i largohem Bulqizës….

Qafa e Buallit nuk është asnjëherë miqësore me njerzit. Në dimër ajo të përzë duke të përballur me erën ndërsa në verë duke përdorur aleatët e saj, peizazhet e bukura për rreth, të cilat, si ai djalli i Omar Khajamit, të tërheqin për tek to. E pra aty fillon Bulqiza…

Për një vizitor, që vjen për herë të parë, Bulqiza është një nazelie e çuditshme: ekspozohet pjesë pjesë. Përpiqet të të tregojë hiret e saj por nuk ka si t´i fshehë ndërtesat shkarravitëse të fabrikës së pasurimit apo “jashtëqitjen” e saj: stogun (dambën) e sterilit. Janë pranë e pranë. Ndjen një keqardhje sepse duken si të harruara aty. Kush tjetër i ka harruar përveç kujdesit të njeriut? Edhe pse punohet, natyrisht me pak njerëz e me shumë mund, kjo punë i ngjan kafshimit. Dhe kafshimi para së gjithash është dhimbje. Nuk është as ngopje, dreqi ta marrë?!Po pse, pse ky kafshimi më mbeti në mendje?

Po, ai ka filluar qysh në atë shkurt të largët të vitit 1948. Atëkohë u nxorrën tonët e parë të mademit që, siç thuhej atëherë, do t´i bënte njerëzit të hanin me lugë floriri. Është e vështirë të modelosh sot atë çfarë mendonin, ndjenin apo përjetonin punëtorët e parë të Bulqizës. Me siguri djersinin për të realizuar normën e për të marrë atë shpërblim që ata e quanin“bukë e kalamajve”. Puna, edhe pse në sipërfaqe, ishte jo vetëm e vështirë por edhe e panjohur. Megjithatë ato gjenin forca për ta përballuar. Në fillim “me sot e me nesër” pasi askush nuk e dinte si do t´i vente filli minierës. As atij gjeologut të parë që, edhe pse kishte fantazi gjeologu, nuk i vinte mendja tek Bulqiza që do vinte në vite. As atij inxhinierit të parë të minierës nuk i shkonte mendja tek Bulqiza e fshehur. Ama, koha bëri të vetën. Ja ashtu, ditë pas dite, muaj pas muaji e vit pas viti, Bulqiza e fshehur u trupëzua në përmasat e sotme.

Si kanë rrjedhur më se 67 vite të Bulqizës minierë? Nga lagja që quhet “Qyteti i ri” panorama përballë është thuajse gri. Aty pushon i gjithë “guri i keq”, mbase i pezmatuar që e ndan nga sivëllau i tij, mbase i turpëruar që nuk është në vendin që i takon, mbase dhe i çuditur pse nuk e lënë rehat, por po ia trazojnë “kockat”, thjesht duke e “kafshuar”, për ta bërë edhe më bajat se ç’është. Ai nuk e kupton se të njëjtën situatë po e përjeton edhe nëntoka prej nga ai ka dalë, po edhe qyteti që e ka përbri. E pra, gjithë aktiviteti i kryer në Bulqizë ka kaluar nëpërmjet kafshimesh. Kur ua thua këtë konstatim inxhinierëve veteranë të minierës Hamza Gurra e Jorgo Kola, nuk e ke të vështirë ta kuptosh dhimbjen e tyre. Pothuajse gjithë jeta e tyre ka kaluar në këtë qytet. Natyrisht ata kanë të drejtë të krenohen me punën e tyre të ngarkuar gjithnjë me tensionin e realizimit të planit por, sigurisht ndjehen edhe të përdorur dhe disi të fyer sepse përdorimi i tyre gjithmonë është shitur si vlerësim. Dhe, me keqardhje, njëherazi jo pa revoltë, duhet pohuar që këtë fat e kanë patur të gjithë ata që kanë punuar në Bulqizë.

Diku, në Qafë të Buallit, pikërisht aty në “portën” e Bulqizës, ka qenë një tabelë e madhe, ku shkruhej me gërma po të mëdha: KROMI ÇAN BLLOKADËN. Atëbotë, të gjithë ata që e lexonin këtë sllogan, përfytyronin “luanët” që ndesheshin dhëmb për dhëmb me armikun dhe i siguronin vendit vendosmërinë e duhur për të ecur përpara në rrugën e ndritur. Ndërsa të punësuarit në Bulqizë e përkthenin këtë sllogan në sakrifica të mëdha, në një gjendje të përhershme alarmi, në gjymtime fizike e, po ashtu mendore, deri në humbje jete. Po nëntoka? Ajo me siguri ndjente dhimbjet e kafshimeve. Asnjëherë nuk arriti të bëhej një projekt i plotë për zbulimin, hapjen dhe shfrytëzimin e minierës. Të gjitha projektet e bëra dhe të realizuara ishin nën presionin e “çarjes së bllokadës”. Një fjalë krejt e papranueshme për teknologjinë e shfrytëzimit, hyri në fjalorin e aktivitetit minerar: aksioni. Në minierë duhej të punohej gjithnjë me aksion. Nuk përfilleshin argumentet profesionale të gjeologëve, nuk respektoheshin kalkulimet e inxhinierëve të minierës, nuk vlerësoheshin gjykimet e puntorëve me përvojë por, kërkohej të realizoheshin vetëm objektiva aksioni. Dhe Bulqiza kafshohej e kafshohej…

Tani në të dy lagjet e qytetit takon edhe të moshuar. Janë ata që kur hedhin vështrimin andej nga miniera përloten. Nuk përloten për atë çfarë kanë lënë atje por, për atë që nuk kanë marrë. Banesat e tyre në pallatet e vjetra, gjendja e tyre “me iu dhimbs dhe hasmit”, pamundësia për t´i patur fëmijët të shkolluar e të punësuar, pensioni i mjaftueshëm për të hyrë në listat e borxheve dhe, pak më përtej, atje në faqen e malit e poshtë saj konkurenca e kafshimit. Sot nuk bëhet fjalë fare për projekte të plota dhe as për “projekte” aksioni. Sot bëhet fjalë vetëm për projekte fitimi. Sot vret jo vetëm nëntoka por edhe mbitoka. Specialistët e sotëm të minierës, çfarëdo qofshin, inxhinierë apo teknikë, zjarmëtarë, minatorë apo vagonistë, armatorë apo shinashtrues- janë në pritje vetëm të marrjes së pagës. Të gjithë këta specialistë, që të vetmen pasuri të fituar në vite kanë dijen për të punuar në nëntokë, duhet të bëhen të paditur për të marrë në sy rrezikun e të punuarit dhe atje ku rregullat e sigurimit teknik e ndalojnë rreptësisht. Këtë ua kërkon jo thjesht fitimi i firmave private, por në rradhë të parë buka e pasiguruar e fëmijve të tyre. Është pak të ndjesh dhimbje, është pak të thuash sa keq…

Po a mund t´i shpëtojë Bulqiza kafshimit? Asnjëherë nuk është vonë.

Peizazhin e Bulqizës e dominon grija. Lajmet mbizotëruese janë ato të mungesës së fitimit nga ana e pronarëve. Kërkoj në një dyqan fletoren e borxheve. Sa keq që nuk mund ta blej…

S'KA KOMENTE