ZË I SPIKATUR NË TREGUN MEDIATIK SHQIPTAR

148

Pas më shumë se dy dekada, gazeta “BULQIZA” rikthehet si një zë i spikatur në tregun mediatik shqiptar, tashmë edhe në internet në Website:www.gazetabulqiza.al

halil-rama1aPara 23 vitesh, në maj 1992, kur Bulqiza ishte ende rajon, doli numri i parë i gazetës me emrin e qytetit shqiptar më të njohur në botë. Pikërisht përfaqësues të elitës bulqizake të asaj kohe, që falë edhe kontributit të gazetës mundësuan bërjen e Bulqizës rreth më vete, pas 23 vitesh krijojnë në Tiranë Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Bulqiza”, me President z.Lutfi Hanku dhe kryetar z.Bashkim Lami.

Pas punës intensive të grupit nismëtar,  Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 5007, datë 20.02.2015 vendosi të urdhërojë regjistrimin e  Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bulqiza, si OJF, vendim ky që përcakton edhe gazetën “BULQIZA” si organ të kësaj shoqate.

Një koinçidencë shumë e bukur, që pikërisht ajo redaksi që nxori numrin e parë, para 23 vitesh në Bulqizë, e rihap këtë gazetë, tashmë në Tiranë, si organ të Shoqatës.
Gazeta “BULQIZA”, me drejtor z.Edmond Isaku ka në stafin e  saj personalitete të shquara të botës akademike e publicistike, si shkrimtarin e mirënjohur Lutfi Hanku – kryetar i këshillit Botues, Dr.Jashar Demiri për sektorin Shkencë – Psikologji, Dr.Hajri Mandri për sektorin Kulturë-art-letërsi, si dhe gazetarët e mirënjohur: Sakip Cami, për sektorin Histori-Traditë, Eva Gjura, për “aktualitetin” dhe Ylli Pata për rubrikën “speciale”.

Gazeta “Bulqiza” do të sjellë frymën bashkëkohore të zgjidhjes së problemeve të qytetit e të fshatrave, duke evidentuar faktorë objektivë e subjektivë që ndikojnë në ecjen përpara, në kapërcimin e krizës ekonomike e të mungesës së besimit, për të gjallëruar forcat e brendëshme lëvizëse të njerëzve tanë, të freskimit të veprimtarisë publike e shtetërore në të gjitha nivelet.

E hapur për cilindo që dëshiron të shkruajë në funksion të këtij qëllimi, gazeta “Bulqiza” do të bëhet tribunë e mendimit dhe debatit publik, ku të gjejë pasqyrim puna e gjallë dhe problemet e menaxhimit të minierës së kromit e të pushtetit vendor në të gjitha hallkat.
Gazeta është e hapur për cilindo, që të thotë lirshëm mendimin e tij për traditat dhe mënyrën e jetesës, për konceptet e reja për jetën.

Gazeta është e hapur për talentet e reja në letërsi dhe arte që të thonë fjalën dhe mendimin e  tyre krijues, duke nxitur talentin e  zhvilluar prirjet.

Këtë e dëshmuam që në numrin e parë, ku ftesës tonë të sinqertë iu përgjigjën me shkrimet e tyre dinjitoze: Dr.Gafur Muka, Dr.Agim Feti (Nju York-SHBA), gjyqtari i Gjykatës së rrethit Gjyqësor, Durrës, Vladimir Skënderi me origjinë nga Gjorica, gazetarja e talentuar Eva Gjura, Ing.Vebi Musta (që nga Florida-SHBA), veterani Ymer Stojku, kryebashkiaku aktual i Bulqizës, z.Myfit Duriçi, kreu i këshillit bashkiak, z.Halil Begu, Drejtuesi i ekipit të Futbollit “Bulqiza”, z.Andi Topi dhe poetja e talentuar, Lumturi Gjura (Balla), të cilët meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë.

Urojmë që intelektualët e Bulqizës, kudo qofshin, inxhinierë e mësues, oficerë e mjekë, shkrimtarë, artistë dhe sportistë, vendas dhe të diasporës, të sjellin fjalën e tyre të pjekur në fusha të ndryshme të dijes, për të njohur më mirë  traditat, kulturën e zonës, të rejat bashkëkohore në fushën e prodhimit, të ligjshmërisë e të jetës sociale.

S'KA KOMENTE